Secondary Adv

Tenderi i sinjalistikes, hetime per pakt te fshehte mes firmave

Dy tenderë të kryer nga Tatimet dhe Autoriteti Rrugor janë vënë nën lupën e Autoritetit të Konkurrencës pas dyshimeve për marrëveshje mes firmave pjesëmarrëse dhe për praktika të ndaluara nga ligji.


Sinjalistika
Njëri tender, i ndarë në dy lote, me vlerë 1.3 miliardë lekë, ka për objekt vendosjen e sinjalistikës vertikale në rrugët kombëtare. Tenderi është ndarë në dy pjesë dhe zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në datat 7 dhe 9 shtator të këtij viti, me objekt “Përmirësimin dhe rifreskimin e sinjalistikës në akset kombëtare”. Ato kanë pasur një fond limit afërsisht prej 5 milionë dollarësh për lotin Vorë-Han i Hotit dhe 8 milionë dollarë për atë Rrogozhinë-Kapshticë.

 

Hetimet për këtë çështje janë hapur pas denoncimeve në media për oligopolin në këtë sektor, të dominuar nga tri kompani, të cilat rezultojnë të kenë fituar pjesën dërrmuese të tenderëve, që lidhen me sinjalistikën dhe sigurinë rrugore. Nga shqyrtimi i dokumentacionit lidhur me dy lotet e procedurës së mësipërme rezulton se firmat fituese në të dyja lotet kanë qenë shumë pranë fondit limit (96 dhe 97%), si dhe ka një mungesë të pjesëmarrjes së operatorëve aktivë në tregun përkatës në procedurat e prokurimit në të dyja lotet.

 

Autoriteti vëren se ndërmarrjet që kanë fituar këto procedura prokurimi me vlera ofertuese shumë afër fondit limit, nuk kanë konkurruar në të dyja lotet dhe mund të kenë përdorur skemën e rotacionit të ofertave duke ndarë tregun (duke përfituar pjesë përafërsisht të barabarta të fondit limit). Për këto arsye, deklaron Autoriteti, u vendos hapja e procedurës së hetimit paraprak për prokurimin, për të parë nëse ka ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.


Tatimet
Hetimi i këtij tenderi nisi me iniciativën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Pranë Autoritetit të Konkurrencës, më 26 tetor 2015, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve denoncoi faktin se “në procedurën e prokurimit të zhvilluar nga DPT me objekt ‘Ruajtje objektesh për vitin 2015’, e ndarë në 13 lote, është konstatuar se gjatë hapjes së ofertave të operatorëve ekonomikë dhe veçanërisht në lotin e Tiranës, gjashtë prej operatorëve kanë paraqitur një ofertë ekonomike me vlerë të barabartë.

 

Nga paraqitja e këtyre ofertave identike, krijohet dyshimi se midis këtyre operatorëve mund të ketë marrëveshje të ndaluar, gjë e cila bie ndesh me ligjin”. Nga shqyrtimi i mëtejshëm i ofertave të paraqitura nga operatorët ofertues në procedurën e prokurimit të realizuar nga Tatimet, vërehet se ofertat për të 13 lotet, janë shumë të njëjta ose shumë afër njëra-tjetrës. Edhe në këtë rast, Autoriteti dyshon se mund të ketë kufizime të mundshme të konkurrencës, prandaj Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak. Periudha e hetimit do të jetë brenda vitit 2015.


Më të lexuarat