Spanja mbeshtet integrimin e Shqiperise ne BE, Marreveshje per hetimin e krimit te organizuar
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij për integrimin europian të Shqipërisë.
Sanchez tha se nuk ka një afat sa do të zgjasë ky proces, por Spanja do të japë mbështetjen e saj politike që rruga të jetë sa më e shpejtë.
“Në lidhje e kohën dhe afatet ne nuk mund t’i vendosim procesit një afat të caktuar të aderim,
por duam të shprehim përkrahjen politike të vendit tonë që kjo rrugë të jetë sa më e shpejtë. Unë jam optimist për të ardhmen e BE.
Mendoj se e kemi të qartë cilat janë detyrat tona. Me pandeminë dhe me luftën po shikojmë shpejtimin e këtij procesi.
Po bashkëpunojmë gjithnjë e më tepër. Ne duhet të vazhdojmë të forcojmë tregun tonë të brendshëm, që do të thotë të futen edhe vende të tjera në këtë hapësirë begatie.
Inkorporimi i Ballkanit do ta forcojë BE-në. Më duket thelbësore që të shtojmë marrëdhëniet bilaterale me shtetet që duan të aderojnë në BE. Është një mekanizëm këmbimi strategjish dhe refleksionesh politike. Kemi parë si ka avancuar ky proces dhe shohim marrëdhëniet pozitive mes vendeve”, tha Sanchez.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe homologu i tij spanjoll kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.
Marrëveshja është nënshkruar në praninë e kryeministrave Edi Rama dhe Pedro sanchez.
“Marrëveshje dypalëshe për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme”, shkruan Rama në një postim në Facebook.
Kujtojmë që kryeministri spanjoll Pedro Sanchez nodhet në Shqipëri në kuadër të një vizite në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës ka vizituar Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje Hercegovinën, por ka anashkaluar Kosovën./Burimi: abcnew.com