Secondary Adv

Transfertat bankare ne Euro brenda vendit, 1.34 miliarde euro ne 6 muaj

Në janar të këtij viti, nisi funksionimin sistemi kombëtar i pagesave në Euro AIPS Euro.

 

Ky sistem mundësoi për herë të parë procesimin dhe shlyerjen brenda vendit të transfertave kombëtare në monedhën Europianë.

 

Statistikat e para të Bankës së Shqipërisë tregojnë se volumet e veprimeve që kryhen nëpërmjet këtij sistemi janë mjaft të mëdha, duke dhënë një ide, veç të tjerash, edhe të shkallës së lartë të përdorimit të Euros në transaksionet e brendshme ekonomike.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-qershor të këtij viti (sistemi nisi punën në 24 janar), në sistemin AIPS-Euro janë kryer gjithsej më shumë se 59 mijë veprime, për një vlerë totale prej rreth 1.34 miliardë Eurosh.

 

Tendenca është në rritje të vazhdueshme muaj pas muaji. Për qershorin, numri i veprimeve arriti në 14 400, nga rreth 8 700 që kishin qenë në muajin shkurt. Ndërsa vlera e transaksioneve për muajin qershor arriti vlerën e 274 milionë Eurove, nga 202 milionë Euro në muajin shkurt.

 

Para ngritjes së sistemit AIPS Euro, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.

 

Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Me sistemin e ri AIPS Euro, Banka e Shqpërisë ka përcaktuar edhe vlera tavan që bankat tregtare për komisionet që ato mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.

 

Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë Euro,

 

totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinus për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jenë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar dhe komisioni dysheme nuk mund të jetë më i lartë se 6 Euro.

 

Për pagesat që janë të iniciuara në formë elektronike, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e totalit të komisioneve të aplikuara për çdo pagesë të iniciuar në formë jo elektronike.

 

Kjo do të thotë zbatimin e totalit të komisioneve dysheme të lartë se 3 Euro, totalit të komisioneve jo më të lartë se 0.1% e vlerës së transferuar për vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë Euro.

 

Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga

 

pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 Euro, pavarësisht nga shuma. Për transfertat e kryera përmes këtij sistemi në asnjë rast nuk duhet të aplikohen komisione për fondet në mbërritje.

 

Veç uljes së kostove, ky projekt vlerësohet të ketë efekte pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike në Euro nga ana e bankave dhe promovimit të pagesave elektronike edhe në këtë segment të tregut, duke nxitur qytetarët shqiptarë drejt përdorimit të këtyre instrumenteve.

 

Në të shkuarën, komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.

 

Gjithashtu, sipas Bankës së Shqipërisë, ky projekt ka një impakt të gjerë në nivel ekonomik duke përfshirë mbajtjen në ekonominë vendase të komisioneve të konsiderueshme,

 

të cilat përftoheshin nga bankat korrespondente jashtë vendit, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar dhe atij monetar, duke pasur të gjithë mekanizmat e nevojshëm monitorues për sa i përket këtij segmenti të tregut.

 

/Burimi: Monitor (https://www.monitor.al/transfertat-bankare-ne-euro-brenda-vendit-1-34-miliarde-euro-ne-me-pak-se-gjashte-muaj/)


Më të lexuarat