Secondary Adv

Perkeqesohen rezultatet ne dogana, 9.2 miliard lek me pak se plani

Edhe me uljen e planit me buxhetin e rishikuar, të ardhurat vazhdojnë të mos realizohen, duke arritur në 16 miliardë lekë më pak, për periudhën 11-mujore.

 

Të ardhurat nga doganat kanë peshën më të madhe të mosrealizimit, duke ndikuar në rreth 70% të vlerës së munguar. Në 11-mujorin 2015, sipas të dhënave paraprake, të ardhurat në total ishin 342.4 miliardë lekë nga 358.4 që është plani, bazuar në buxhetin e rishikuar. Ndërsa, në raport me periudhën janar-nëntor 2014, të ardhurat në buxhet janë rritur me rreth 4%. Nga ana tjetër, të dhënat e nëntorit tregojnë se operacioni kundër informalitetit, në muajin e tij të tretë, e ka përkeqësuar mbledhjen e të ardhurave, ku shuma e munguar është shtuar me 5 miliardë lekë. Në krahasim me planin e miratuar në buxhetin fillestar, arkës së shtetit i mungojnë rreth 31 miliardë lekë. Buxheti u rishikua në ulje në fund të muajit gusht, si konkluzion i performancës së dobët të të ardhurave në 6-mujorin e parë të vitit 2015.


Doganat, rezultate në rënie
Deri në fund të vitit 2015, sipas parashikimit zyrtar të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga “Tatimet dhe doganat” priten të kapin shifrën 262,1 miliardë lekë ose 96.2% nga planifikimi. Pjesën kryesore në këtë mosrealizim e kanë të ardhurat nga administrata doganore, të cilat priten të realizojnë rreth 147 miliardë lekë ose rreth 9.2 miliardë lekë më pak se planifikimi. Të ardhurat nga akciza priten të jenë rreth 40,5 miliardë lekë nga 44,9 miliardë lekë të parashikuara ose rreth 4,3 miliardë lekë më pak. Për muajin nëntor, të ardhurat doganore ishin rreth 13,7 miliardë lekë, ndërsa për muajin dhjetor priten të jenë rreth 14,7 miliardë lekë. Zërat me performancën më të keqe në të ardhurat e administratës doganore janë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), me rreth 5,1 miliardë lekë më pak nga plani dhe akciza me rreth 4,3 miliardë lekë më pak nga objektivi zyrtar.


Importet
Rënia e të ardhurave nga TVSH-ja në import është ngushtësisht e lidhur me rënien e importeve. Për periudhën janar – tetor, importi i taksuar ka rënë me -1.7%, eksporti ka rënë me -4.1%. Rënia e importeve të energjisë është një tjetër faktor që ka ndikuar në rënien e vlerës së TVSH-së së arkëtuar. Po ashtu, rritja e importit të makinerive dhe pajisjeve të përjashtuara nga TVSH-ja, është 23.2% krahasuar me një vit më parë. Produkte të përjashtuara nga TVSH-ja janë edhe barnat, importi i të cilave është rritur me 18%. Në të njëjtin volum është shtuar edhe importi i arit, i cili po ashtu është përjashtuar nga TVSH-ja. Analizuar sipas grup-produkteve kryesore, sipas të dhënave të administratës doganore, rezulton se rënia e importeve të këtyre produkteve ka dhënë edhe impaktin më të madh në të ardhurat e munguara nga TVSH-ja, për periudhën janar-tetor, me 4,45 miliardë lekë, që e shtrirë në periudhë 12-mujore jep një projeksion minus prej rreth 5,2 miliardë lekësh.


Cigaret
Arsyet kryesore të rënies së të ardhurave nga akciza për vitin 2015, sipas Ministrisë së Financave, është rënia e importeve të cigareve. Deri në fund të vitit, pritet që importet e cigareve të realizohen në masën 2605 tonë, nga 3000 tonë të parashikuara. Për muajin dhjetor 2015 (ashtu si në nëntor) vlerësohen që importet e cigareve do të jenë rreth 250 tonë në muaj. Analiza e ministrisë merr parasysh faktin se në fund të vitit nuk do të ketë rritje importesh si vitet e tjera, për arsye se është bërë deklarimi zyrtar, që gjatë vitit 2016 nuk do të ketë rritje të nivelit të akcizës. Efekti minus në të
ardhura nga akciza e cigareve dhe duhanit është 2 miliardë lekë. Norma e ulët e rritjes së konsumit të karburanteve me rreth 3,3% në krahasim me vitin 2014, ka dhënë efektin te të ardhurat doganore. Për muajin dhjetor është vlerësuar se importi dhe prodhimi vendas i karburanteve do të jenë rreth 47,168 tonë karburant (e njëjta vlerë si në nëntor), duke përjashtuar efektin e rritjes së importeve nga muajt e fundit të vitit, për arsye se paketa fiskale 2016 nuk ka asnjë masë që lidhet me karburantet. Këto importe më të ulëta kanë një efekt 1,4 miliardë lekë.


Ndryshimet
Duke marrë parasysh faktin se buxheti sapo është rishikuar, nuk pritet të bëhet një tjetër zhvendosje e shifrave te të ardhurat. Megjithatë, për të ruajtur deficitin buxhetor në objektiv, Financat mund të kufizojnë me urdhër administrativ shpenzimet në të njëjtën masë sa është mosrealizimi i të ardhurave.


Më të lexuarat