Secondary Adv

Cmimi i larte i energjise demton buxhetin, FMN: Ka shtuar kostot e jeteses

Çmimet në rritje të energjisë elektrike kanë rritur kostot për evropianët.

 

Kështu shprehen ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, teksa analizojnë luhatjet e forta të tregjeve ndërkombëtare. Sipas tyre nga fillimi i luftës në Ukrainë është dyfishuar çmimi i naftës, katërfishuar i qymyrit, kurse  çmimi i gazit natyror ka shkuar 7 fish.

 

Me një çmim të energjisë në bursë mbi 500 euro për megavat, FMN thotë se qeveritë duhet të mendojnë për familjet e varfra. “Çmimet në rritje të energjisë kanë rritur ndjeshëm kostot e jetesës për evropianët.

 

Që nga fillimi i vitit të kaluar, çmimet globale të naftës u dyfishuan, çmimet e qymyrit gati u katërfishuan dhe çmimet evropiane të gazit natyror u rritën pothuajse shtatëfish.

 

Politikat duhet të zhvendosen nga mbështetja me bazë të gjerë duke përfshirë kontrollet e çmimeve në lehtësimet e synuara siç janë transferimet në familjet më të varfra që vuajnë më shumë nga faturat më të larta të energjisë”, thotë FMN.

 

Ndërkohë në Shqipëri kur çmimet e larta po mbushin arkën e shtetit, pasi po paguhen më shumë taksa, energjia është ajo që po e boshatis atë.

 

Vetëm për javën e parë të muajit gusht KESH ka importuar mbi 45 mijë megavat energji me një kosto prej 22.1 milionë euro, duke bërë që 1 ditë drita të kushtojë mbi 3.1 milionë euro.

 

Ndërsa në tenderin e parë të bërë për furnizimin me energji për datat 8-14 gusht, janë blerë mbi 50 mijë megavat, me çmim mesatar 482 euro/MWH, dhe janë shpenzuar në total 24.4 milionë euro. Pra 46.6 milionë euro për 2 javë energji.

 

Jo vetëm mungesa e reshjeve, por edhe faturat e kripura të importit të energjisë po e djegin buxhetin e vendit.

 

Sipas të dhënave nga KESH, nga janari deri më tani është importuar energji nga jashtë në vlerën e 250 milionë euro, ndërkohë që importet do të vijojnë si pasojë edhe e mungesës së prodhimit vendas, pasi nuk ka reshje.

 

Përballë kësaj situate, nuk ka asnjë sinjal pozitiv. Për këtë arsye qeveria ka paralajmëruar planin e kursimit që me shumë gjasa do nisë në shtator, ku familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat në muaj do të paguajnë më shumë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat