Nafta bie ndjeshem ne bursa, ne Shqiperi cmimi nuk ndryshon
Nafta në bursat ndërkombëtare ka arritur dje në nivelet më të ulëta të 11 viteve të fundit, në 34.37 dollarë/fuçi për treguesin europian (Brent). Ekspertët pohojnë se kjo rënie e çmimit në bursa erdhi pas vendimit të javës së shkuar të Rezervës Federale Amerikane që rriti interesat për herë të parë pas 9 viteve. Interesa më të larta kanë shkaktuar forcimin e dollarit amerikan si monedhë.
Ndikimi në çmimin me pakicë Por, në Shqipëri, çmimet me pakicë të karburanteve, prej disa muajsh nuk zbresin poshtë çmimeve 163-180 lekë. “Autotraveler” që jep çmimet mesatare për çdo vend europian, njofton se vlera mesatare për një litër benzinë ose dizel në Shqipëri është 1,23 euro, ndërsa sipas “Global Petrol Prices”, Shqipëria e ka çmimin mesatar të benzinës 1.31 USD. Në renditjen e kontinentit, Shqipëria hyn ndër 13 vendet me çmimin më të shtrenjtë në Europë. Çmimi është më i shtrenjtë në Britaninë e Madhe, ku një litër benzinë kushton 1.61 USD.
Maqedonia fqinjë e ka çmimin mesatar për një litër benzinë 1.01 euro, po ashtu vendet e tjera të rajonit kanë çmime më të ulëta se vendi ynë. Në fillim të dhjetorit, Këshilli i Ministrave vendosi të rrisë me dhjetëfish tarifën për dhënien dhe përsëritjen e licencave për stacionet e shitjes së karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës, për automjetet dhe vajrave lubrifikantë, duke e bërë atë 5 milionë lekë, për Bashkinë e Tiranës, dhe 2 milionë lekë, për bashkitë e tjera. Më parë, tarifat ishin përkatësisht 30 mijë lekë dhe 20 mijë lekë. Kjo “taksë e fshehur” do të reflektohet në çmimin e pakicës, duke mos e lejuar uljen për shkak të koniunkturës botërore.
Nafta bruto Nga rënia e çmimit të naftës bruto të importuar do të përfitojnë rafineritë, të cilat do të kenë si rrjedhim çmim më të ulët në prodhimin e nënprodukteve. Ndërsa, kompanitë e nxjerrjes së naftës do të dëmtohen duke ulur prodhimin në pritje të rritjes së çmimeve në bursë. Nafta e prodhuar në vend, sipas njoftimeve të kompanive private është shitur gjatë vitit 2015 me 74% të çmimit referues të naftës Brent (53,94 USD/fuçi).