Secondary Adv

AKSHI hap tenderin, 99.96 mln leke per harten e kamerave te sigurise

Krijimi i sistemit të hartës digjitale për hapësirat publike të mbuluara me kamera sigurie në rang vendi do të kushtojë rreth 99.96 mln lekë.

 

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hapur tenderin me vlerë mbi kufirin e lartë monetar, që ka për qëllim identifikimin e kamerave të sigurisë të Policisë së Shtetit, kamerave Publike dhe të Subjekteve Private e më pas implementimin e sistemit elektronik për vendndodhjen dhe perimetrin e tyre të mbulimit.

 

Po ashtu, synohet implementimi i shërbimit të raportimit të pozicionit gjeografik të kamerave dhe parametrave të tyre në portalin e-Albania.

 

Sipas dokumenteve të tenderit, aktualisht nuk ekziston një sistem informatik dhe informacioni i kamerave të vëzhgimit në administrim të Policisë së Shtetit nuk ruhet dhe nuk administrohet në mënyrë elektronike.

 

Gjithashtu, ekzistojnë shumë kamera në ambjentet publike, të cilat në raste dhe situata të ndryshme nevojitet akses nga Policia. “Këto kamera (qofshin të policisë, institucioneve shtetërore, bizneseve të ndryshme apo individëve)

 

vërehen në terren për një perimetër të caktuar, gjë që policia humbet shumë kohë për identifikimin dhe aksesimin e tyre”,- shtohet më tej.

 

Ndërkohë që, sipas AKSHI-t, me implementimin e këtij projekti policia do të ketë mundësi të identifikojë dhe përpunojë më shpejt informacionin për kamerat e sigurisë në të gjithë vendin.

 

“Duke patur informacionin dixhital për pozicionin e kamerave të sigurisë dhe zonën e tyre të mbulimit, Policia e Shtetit e ka më të lehtë identifikimin dhe kërkimin e pamjeve filmike për zona të caktuara në rastet e hetimit të krimeve të ndryshme”,-

 

thuhet në dokumentet e tenderit, duke shtuar se ky sistem synon të ndihmojë në zbulimin e krimit brenda 48 orëve, duke gjurmuar dhe përdorur kamerat që vendosin bizneset apo individët./Burimi: SCAN


Më të lexuarat