Secondary Adv

Rritja e cmimeve ne bursa, qeveria miraton fondin 8 mld leke per KESH

Për shkak të çmimeve të larta të energjisë në bursën ndërkombëtare dhe sasisë së lartë të importit, qeveria miratoi fondin e parë për KESH për të përballuar situatën.

 

Këshilli i Ministrave ka vendosur në dispozicion të KESH-it 8 miliardë lekë pikërisht për mbështetjen e sektorit të energjisë. Ky fond ishte i përcaktuar në buxhetin e shtetit të vitit 2022, por që ende nuk ishte aktivizuar.

 

“Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin 04320, “Mbështetje për energjinë”, në llogarinë ekonomike nr.232, i shtohet fondi 8 miliardë lekë, në formën e transferimit në kapital (transhi i parë nga fondi i miratuar për këtë qëllim në buxhetin e shtetit),

 

për shoqërinë “Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH)”, sh.a., me qëllim mbulimin me likuiditet të veprimtarisë operacionale të shoqërisë”, thuhet në vendimin e qeverisë tashmë të publikuar në Fletoren Zyrtare. 

 

Prej janarit të këtij viti e deri më tani janë importuar mbi 250 milionë euro energji elektrike nga KESH, ndërkohë që çmimi për megavat ka arritur në shifra rekord prej mbi 500 euro.

 

Rreth 50 milionë euro janë shpenzuar për të garantuar furnizim me energji elektrike vetëm në 2 javët e para të muajit gusht. 

 

Për të shmangur rritjen e mëtejshme të faturës financiare për të blerë energji, qeveria ka paralajmëruar planin e kursimit që me shumë gjasa do nisë në shtator, ku familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat në muaj do të paguajnë më shumë./Burimi; Shqiptarja.com


Më të lexuarat