Ngecin investimet, realizohet vetem 80 per qind e planit
Situata e mosrealizimit të fondeve publike paraqitet edhe te shpenzimët, sidomos te investimet, edhe pse e gjithë vëmendja e opinionit publik dhe politikës është përqëndruar tek mosrealizimi i të ardhurave. Në një kohë kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i vitit fiskal qeveria nuk ka realizuar fondin vjetor prej 63 miliardësh të planifikuar për investime.
Në fund të periudhës 11-mujore fondet e disbursuara ishin vetëm 42.3 miliardë lekë nga 53.2 miliardë lekë të programuara në planin e rishikuar, duke rezultuar kështu vetë 80 % të planifikimit. Burimet zyrtare të Ministrisë së Financave kanë argumentuar se, mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve.
“Shpenzimet kapitale, në vijim të analizës së ecurisë së realizimit të investimeve publike me financim të brendshëm dhe të huaj për periudhën janar-shtator 2015 është konstatuar një mosrealizim në investimet me financim të huaj në nivele të konsiderueshme, ndërkohë që realizimi i investimeve me financim të brendshëm paraqitet në nivele të kënaqshme pavarësisht se jo në nivelet e dëshiruara”, sqaron Ministria e Financave.
Investimet që janë i vetmi mjet publik që ndikon direkt në rritjen ekonomike po ecin në të njëjtin trend me vitin e kaluar. Kalimi i kompetencave nga Ministria e Financave tek ajo e Ekonomisë për alokimin e fondeve për investimet ka rritur procedurat burokratike e për rrjedhojë po pengon alokimin e tyre sipas programit. Gjatë rishikimit të buxhetit 2015 qeveria rishikoi me ulje fondin për investimet. Nga më shumë se 67 miliardë lekë që ishin programuar investimet kapitale në fillim tå vitit pas rishikimit ato zbriten në 63 miliardë lekë ose 7% më pak. Ndërkohë vetëm pak ditë më parë qeveria ndërhyri përsëri në buxhet duke rialokuar fondet e investimeve.