Secondary Adv

Firmat e ndertimit qe zhvillojne ndertimet pa leje,5 vjet heqje license

Në draft-ligjin që po shqyrtohet në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, deputetët e maxhorancës pritet të miratojnë një sërë ndryshimesh në projektligjin e qeverisë per ndertimet pa leje.

 

Në nenin 81 të projektligjit, do të vendoset që, veç firmës ndërtuese, në rastet kur kryen punime jashtë kritereve ligjore, si shtesa apo zhvillim të objektit jashtë projektit të miratuar, atëherë heqjen e licencës nuk e rrezikon vetëm subjekti ndërtues, por edhe “bashkëpunëtorët”.Masat e ashpra do të prekin dhe projektuesin e objektit, mbikëqyrësin e punimeve, dhe kolaudatori i ndërtesës që do të ngrihet në kundërshtim me ligjin. Sipas dispozitave të reja ligjore që pritet të shtohen në ligj, u jepet e drejta autoriteteve të kontrollit, në këtë rast inspektorët e INUK, që të paraqesin kërkesën për heqjen e menjëhershme të licencës për subjektet që kryejnë punime në shkelje të ligjit. Po ashtu, ndërtuesve që u hiqet një herë licenca nuk mund të ripajisen më me të njëjtën licencë për 5 vitet e ardhshme. “Për shkeljet e kryera nga subjekti ndërtues, projektuesi, mbikëqyrësi dhe kolaudatori, strukturat e kontrollit paraqesin menjëherë kërkesën për heqjen e licencës.Autoritetet përkatëse janë të detyruara të marrin vendim për heqjen e licencës brenda 5 ditëve. Subjekti të cilit i është hequr licenca nuk mund të ripajiset më me të njëjtën licencë për 5 vitet në vijim”, thuhet në pikën 6 të nenit 81 . Po ashtu, ndaj subjekteve ndërtuese mund të bëhet dhe kallëzim për ndjekje penale nga autoritetet e inspektimit. “Për shkeljet që përbëjnë vepër penale, autoritetet e inspektimit, krahas dënimit për kundërvajtjet e konstatuara sipas këtij neni, bëjnë menjëherë kallëzim për ndjekje penale. Gjobat e përcaktuara sipas këtij neni përbëjnë titull ekzekutiv”, thuhet në propozimet që pritet të miratohet në Kuvend.

Shembjet

Në projektligjin e qeverisë do të preken edhe nenet që parashikojnë rastet kur një ndërtesë do të shembet ose do të konfiskohet nga shteti. Për ndërtesat ku krijimi i shtesave me sipërfaqe vëllimore krijon pasoja, do të dënohet me prishje ose konfiskim të punimeve të paligjshme, po ashtu dhe me gjobë deri në 200 mijë lekë ose deri në 5% të vlerës së punimeve shtesë. Në këto raste, 5 % do të aplikohet për ndërtimet deri në 5 milionë lekë. Kurse në raste kur shtesa është mbi 5 milionë lekë, atëherë gjoba do të jetë, 200 mijë lekë ose 10% e vlerës së punimeve.

Ndryshimet në projektligj

Neni 81, të bëhen ndryshimet e mëposhtme: Te shkronja “f” e pikës 1 , paragrafi “ii” të riformulohet si vijon:

ii. me pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe e vëllim ndërtimor, dënohen me prishje ose konfiskim të punimeve të paligjshme dhe me gjobë nga 200.000 lekë deri në 5 për qind të vlerës totale të punimeve të volumeve shtesë, për volume shtesë deri në 5 milionë lekë, sipas preventivit të punimeve;

iii. me pasoja në krijimin e shtesave në sipërfaqe e vëllim ndërtimor, dënohen me prishje ose konfiskim të punimeve të paligjshme dhe me gjobë nga 200.000 lekë deri në 10 për qind të vlerës totale të punimeve të volumeve shtesë, për volume shtesë mbi 5 milionë lekë, sipas preventivit të punimeve

Pikat 3 dhe 4 të zëvendësohen me pikat 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8 me përmbajtje si vijon:

3. Shkelja e afatit të hartimit dhe dërgimit për miratim të planeve të territorit sipas këtij ligji, dënohet me gjobë nga 3.000.000 lekë në 5.000.000 lekë.

4. Përfituesi i lejes së zhvillimit, porositësi dhe ndërtuesi janë përgjegjës, në kuptim të këtij ligji, për konformitetin e punimeve me legjislacionin urbanistik, me instrumentet e planifikimit dhe, solidarisht me drejtuesin e punimeve, për konformitetin me kushtet dhe kriteret e lejes së zhvillimit. Subjektet e mësipërme janë gjithashtu përgjegjëse në mënyrë solidare për pagesën e sanksioneve dhe shpenzimeve për kthimin e tokës ose strukturave në gjendjen e mëparshme, në rast prishjeje të punimeve / ndërtimeve të kryera në mënyrë të kundërligjshme.

5. Hartimi i projektit të ndërtimit, kryerja dhe hartimi i oponencës, mbikëqyrjes dhe zbatimit të punimeve dhe kolaudimit të objektit në kundërshtim me ligjin, planet e miratuara dhe lejen e zhvillimit pavarësisht nëse përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 1 .000.000 deri në 3.000.000 lekë.

6. Për shkeljet e kryera nga subjekti ndërtues, projektuesi, mbikëqyrësi dhe kolaudatori, strukturat e kontrollit paraqesin menjëherë kërkesën për heqjen e licencës. Autoritetet përkatëse janë të detyruara të marrin vendim për heqjen e licencës brenda 5 ditëve. Subjekti të cilit i është hequr licenca nuk mund të ripajiset më me të njëjtën licencë për 5 vitet në vijim.

7 . Për shkeljet që përbëjnë vepër penale, autoritetet e inspektimit, krahas dënimit për kundërvajtjet e konstatuara sipas këtij neni, bëjnë menjëherë kallëzim për ndjekje penale.

8. Gjobat e përcaktuara sipas këtij neni përbëjnë titull ekzekutiv.

Panorama


Më të lexuarat