Secondary Adv

Inflacioni ne SHBA 9.1 per qind, me i larti ne 40 vitet e fundit

Rritja më e madhe e inflacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 40 vitet e fundit po e godet rëndë vendin.

 

Në New York, një metropol me gati 9 milionë banorë, është gjithnjë e më e vështirë të paguash qiranë dhe ushqimin. Në maj të këtij viti, çmimet e ushqimeve në New York u rritën me ritmin më të shpejtë që nga viti 1981.

 

Kjo rritje u ngadalësua pak në qershor, por çmimet e ushqimeve në SHBA janë ende 9.1 për qind më të larta se një vit më parë. Kjo është rritja më e madhe që nga viti 1981.

 

Inflacioni i lartë është pasojë e ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit dhe të biznesit të shkaktuar nga vendosja e masave kundër pandemisë.

 

Kozmetikë në vend të perimeve

Numri i fëmijëve që vizitonin mensat publike të ushqimit në fillim të këtij viti ishte 55% më i lartë se para shpalljes së pandemisë, sipas informacioneve nga City Harvest, organizata më e madhe e rishpërndarjes së ushqimit në SHBA.

 

Gjatë masave kundër pandemisë, shumë organizata të tilla u krijuan në New York me synimin për të ndihmuar njerëzit e varfër. Sidoqoftë, subvencionet shtetërore për ta mbetën të njëjta – ato thjesht ndahen tani mes më shumë njerëzve.

 

E me paratë që marrin, po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta që të blejnë ushqim të mjaftueshëm, sepse çmimi i ushqimit vazhdon të rritet.

 

Gjendja pak më e mirë në korrik

Shumë restorante dhe bare, pas bilancit katastrofik financiar që patën gjatë pandemisë, ia dolën t’i mbanin klientët duke mos i rritur ose vetëm duke i rritur pak çmimet e ushqimeve dhe pijeve.

 

Por tani edhe ata kanë rritur pagat e punonjësve të tyre për t’i mbajtur ata – sepse ka një kërkesë të madhe në tregun e punës. Mark Cohen, një profesor në Shkollën e Biznesit të Universitetit Kolumbia, tha se qeveria po bën gjithçka që mundet për të vënë situatën nën kontroll.

 

Për shembull, FED po rrit normat e interesit, e presidenti Joe Biden ka detyruar kompanitë e naftës dhe gazit të rrisin prodhimin dhe të mbajnë të ulëta çmimet e benzinës.

 

Por, Cohen beson se efektet e këtyre masave mund të bëhen të dukshme vetëm brenda një viti. Në të gjithë SHBA-në, rritja e inflacionit që nisi në kohën e vendosjes së masave kundër pandemisë u ndal pak në korrik.

 

Është shumë herët për ta ndjerë atë në jetën e përditshme të Nju Jorkut. Përveç kësaj, pagat janë ende në rritje, vlera e parave po bie ndërsa qiratë po rriten./Burimi: Deutsche Welle


Më të lexuarat