Secondary Adv

Cmimet e naftes arrijne nivelin me te ulet qe nga fillimi i luftes ne Ukraine

Çmimet globale të naftës kanë pësuar rënie pas shqetësimeve për rritjen e dobët të ekonomisë së Kinës.

 

Ҫmimi i një fuçie me naftë të papërpunuar Brent ra me rreth 5%, duke shkuar nën 94 dollarë të hënën dhe duke arritur kështu nivelet më të ulëta që nga pushtimi rus i Ukrainës, pasi tregtarët reaguan ndaj shifrave të dobëta nga ekonomia e dytë më e madhe e botës.

 

Banka qendrore e Kinës uli papritur normat e interesit për facilitetet e saj kryesore të huadhënies për herë të dytë brenda këtij viti, pas shifrave zyrtare zhgënjyese të rritjes ekonomike.

 

Prodhimi i fabrikave në sektorin industrial të këtij vendi u rrit me 3.8% në muajin korrik krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një rritje kjo që ishte nën parashikimet e analistëve prej 4.6%, sipas një sondazhi të Reuters.

 

Shitjet me pakicë u rritën me 2.7% krahasuar me një vit më parë, një tjetër shifër që ishte dukshëm nën pritshmëritë e analistëve, ndërkohë që rimëkëmbja ekonomike e Kinës pas izolimeve të pandemisë në fillim të këtij viti shfaqi shenjat e para të zbehjes.

 

Ekonomia e Kinës pati pothuajse një rënie në tremujorin e dytë, kryesisht për shkak të izolimit të qendrës tregtare të Shangait dhe rënies së ndjeshme në aktivitetin e tregut të pasurive të paluajtshme, si dhe të niveleve vazhdimisht në rënie të shpenzimeve të konsumatorëve.

 

Sektori i pasurive të paluajtshme, i tronditur nga një bojkot i kredive hipotekore pasi mijëra blerës të shtëpive po refuzojnë të vazhdojnë me pagesat e kësteve për banesat e papërfunduara të cilat janë blerë përpara fillimit të ndërtimit, pati gjithashtu një rënie të aktivitetit në muajin korrik.

 

Julian Evans-Pritchard, një ekonomist për Kinën në firmën e konsulencës Capital Economics, tha: “Ne mendojmë se perspektiva do të mbetet sfiduese përgjatë muajve të ardhshëm,

 

pasi eksportet do të fillojnë të bien, rënia e aktivitetit në sektorin e pasurive të paluajtshme do të thellohet dhe problemet e shkaktuara nga virusi do të vazhdojnë të ndikojnë tek ekonomia. ”

 

Si një nga konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në botë, rritja më e dobët e ekonomisë kineze do të zvogëlonte kërkesën për naftë të papërpunuar dhe burime të tjera natyrore.

 

Tregtarët e energjisë po vlerësojnë gjithashtu potencialin për një marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe negociatorëve të Perëndimit, e cila mund të hapë rrugën për një rritje të furnizimeve me naftë.

 

Çmimi global i naftës ka pësuar rënie të ndjeshme nga niveli rekord prej 140 dollarë që arriti në muajin mars, kur shqetësimet për furnizimet nga Rusia ishin në kulmin e tyre.

 

Megjithatë, çmimet vazhdojnë të mbeten në nivele historikisht të larta, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon, pasi ato janë pothuajse 50% më shumë sesa nivelet ku ndodheshin në fund të vitit 2019.

 

Rritja e çmimeve të energjisë ka qenë nxitësi më i madh i inflacionit të lartë në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ekonomitë e tjera të përparuara, duke sjellë përkeqësimin e krizës së kostos të jetesës.

 

Bjarne Schieldrop, analisti kryesor për mallrat në bankën suedeze SEB, tha se ishte e qartë që dobësimi i kërkesës së Kinës për naftë ishte një nga arsyet kryesore për rënien e çmimeve të naftës që nga fillimi i muajit qershor.

 

“Nuk ka shumë shpresë se Kina do të ndryshojë qëndrimin e saj për Covid-19 në të ardhmen e afërt dhe ekziston rreziku që rënia e kërkesës në Kinë të vazhdojë për shkak të izolimeve të vazhdueshme nga njëri muaji në tjetrin,” tha ai./Burimi:The Guardian


Më të lexuarat