Secondary Adv

Bizneset thellojne borxhet ndaj OSHEE, niveli me i larte qe nga viti 2010

80.33 mld lekë është borxhi që konsumatorët kanë ndaj OSHEE për fatura të papaguara të energjisë, duke shënuar një rritje të ndjeshme në raport me 2021.

 

Përveç konsumatorëve familjarë, vlera e faturave të papaguara ka pësuar rritje për të gjitha kategoritë e tjera më konkretisht për bizneset, konsumatorët buxhetorë dhe ata jobuxhetorë.

 

Por, rritja e pazakontë vihet re te kategoria e biznesit, ku niveli i detyrimeve të prapambetura ka arritur në rreth 12.1 mld lekë, borxhi më i lartë i akumuluar në 12 vitet e fundit. 

 

Në krahasim me fundin e vitit 2021 vlera për fatura të papaguara nga kjo kategori u rrit me 691 mln lekë, teksa që prej 2017 për këtë kategori tendenca e faturave të papaguara ishte në rënie, me përjashtim të 2021, ku përgjatë gjithë vitit u shënua një rritje me 293 mln lekë, në raport me fundin e 2020.

 

Kjo rritje e moslikujdimit të detyrimeve për energjinë elektrike përkon me periudhën e rritjes së çmimit të energjisë për rreth 7500 biznese, që nga data 1 janar plotësuan kriteret për të dalë në treg të lirë energjie.

 

Për bizneset e lidhur në tensionin 20 KV çmimi u rrit në 18.8 lekë/këh, ndërkohë që për ato të lidhur në tensionin 10 dhe 6 kv në 19.69 lekë/këh.

 

Ndërkaq, edhe institucionet jobuxhetore, ku bëjnë pjesë kryesisht ujësjellësit rritën ndjeshëm nivelin e borxheve për energjinë, duke akumuluar një vlerë prej 18.1 mld lekë, nga 15.72 mld lekë që ishte deri në fund të vitit të kaluar.

 

Edhe për këtë kategori, kjo është vlera më e lartë për detyrime të papaguara, të paktën që prej vitit 2010. Sa i takon faturave të institucioneve shtetërore, borxhi ka arritur në  gati 5 mld lekë.

 

Ndërkohë që, konsumatorët familjarë kanë 45.1 mld lekë fatura të palikujduara për energjinë, duke shënuar një rënie me 1.34 mld lekë përgjatë 6-mujorit, në raport me fundin e vitit të kaluar./Burimi: SCAN


Më të lexuarat