Secondary Adv

Energjia ne bursa shenon rekord te ri, 1 MWh pritet te shkoje 747 euro

Situata energjetike ndërkombëtare duket se nuk ka përmirësim.

 

Këtë të mërkurë çmimet e energjisë në bursë kanë regjistruar një tjetër rekord. Një megavat kushton mesatarisht rreth 554 euro, ndërsa sipas të dhënave të bursës në momentet pik të konsumit, çmimi do të arrijë deri në 747 euro për megavat.

 

Këto janë vlerat më të larta të çmimit të energjisë në bursë, të ndikuara nga thatësira, mungesa e prodhimit, konsumi i lartë ndërkombëtar si dhe lufta në Ukrainë, ku për shkak të reduktimit të gazit që shpërndan Rusia në Evropë është rritur më tej konsumi i energjisë.

 

Dy dit më parë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi anulimin e tenderit për të blerë energji për datat 15-21 gusht për shkak të çmimeve tepër të larta të bursës ndërkombëtare.

 

Nëpërmjet ankandit të hapur për këto data KESH kërkonte të blinte 61,600 megavat, por nëpërmjet një njoftimi të dytë ankandi u anulua.

 

Çmimi i energjisë në bursë

Për të mbuluar vendin me furnizim, KESH ka importuar vetëm për 2 javët e para të këtij muaj mbi 50 milionë euro energji elektrike, ndërsa që prej janarit shifra ka kapërcyer mbi 250 milionë euro. 

 

Për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare dhe sasisë së lartë të importit për shkak të thatësirës, qeveria miratoi pak ditë më parë fondin e parë për KESH-in për të përballuar situatën.

 

8 miliardë lekë ju vunë në dispozicion KESH si mbështetjen për sektorin e energjisë. Ky fond ishte i përcaktuar në buxhetin e shtetit të vitit 2022, por që ende nuk ishte aktivizuar.

 

Si pasojë e kostove në rritje të importit qeveria ka paralajmëruar masa kursimi prej muajit shtator ku nuk përjashtohet edhe ndërprerja e energjisë në orë të caktuara. 

 

Kjo situatë e paprecedentë me çmimet nuk imagjinohej vjet në të njëjtën periudhë, pasi sipas të dhënave të bursës Hungareze të Energjisë, në 17 gusht 2021, një megavat energji kushtonte 97.1 euro.

 

IMPORTET E ENERGJISË ELEKTRIKE 

1-7 gusht            22,168,576 euro

8-14 gusht          24,480,684 euro

 

13-14 gusht        3,528,110 euro

TOTALI               50,177,370 euro

 

Kriza energjisë ka nisur të ketë efekte më të forta në Kosovë, ku kanë filluar ndërprerjet e energjisë për shkak të kërkesës së lartë për konsum dhe prodhimit të ulët.

 

Për këtë arsye KESH në bazë të marrëveshjes së depozitimit që ka me Korporatën Elektroenergjetike Kosovë, i ka dhënë energji Kosovës, për të evituar ndërprerjet e gjata./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat