
Shorti i kuponeve tatimore, kater kategorite e cmimeve qe do te ndahen, afatet dhe procedurat
Ministria e Financave jep detaje për lotarinë e kuponit tatimor. Sipas sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Financave, Geraldina Prodani, të gjithë qytetarët, që kanë kryer blerje të ndryshme duke tërhequr kuponin tatimor, nga data 15 nëntor e deri më 31 dhjetor, mund të bëhen pjesë e lotarisë së parë fiskale në vend.
“Të gjithë kuponët tatimorë të kësaj periudhe, personat që duan të jenë pjesë e lojës, duhet t’i mbledhin dhe t’i dërgojnë me zarf përmes Postës Shqiptare nga data 1 janar deri më 11 janar 2016.
Zarfi
Mbi zarf duhet shënuar nga vetë individi që do të marrë pjesë në këtë lojë, numri total i kuponëve brenda zarfit dhe vlera nominale totale e tyre”, tha Prodani. Kuponët e mbledhur brenda periudhës së zhvillimit të lojës promocionale duhet të postohen nëpërmjet shërbimit rekomande të Postës Shqiptare në adresën: “Për Lojën promocionale të kuponit tatimor; Shtypshkronja e Letrave me Vlerë (ish-topografia ushtarake), Tiranë”. Përveç kuponëve tatimorë, pjesëmarrësi duhet të vendosë në zarf një etiketë me të dhënat e mëposhtme: i) Emrin, mbiemrin, numrin e kartës së identitetit dhe nr. e telefonit të lojtarit; ii) Vetëdeklarimin e numrit të kuponëve të vënë brenda në zarf dhe vlerën nominale në lekë të të gjithë kuponëve. Në momentin e postimit të zarfit, pjesëmarrësi do të pajiset me një dokument ku është i pasqyruar numri i barkodit të zarfit të dërguar (i ofruar nga posta). Ky numër do të shërbejë si numër për identifikimin e secilit pjesëmarrës gjatë hedhjes së shortit dhe tërheqjes së çmimeve fituese.
Kufiri minimal
Të drejtën për të marrë pjesë në lojën e kuponit tatimor e ka çdo qytetar, i cili ka tërhequr gjatë periudhës së zhvillimit të lojës kuponë tatimorë nga blerjet. Por, pjesëmarrja ka një kufizim. Qytetari, që të kualifikohet si pjesëmarrës në lojë, duhet të ketë mbledhur jo më pak se 50 kuponë tatimorë dhe me vlerë totale të të gjithë kuponëve jo më të vogël se 5 000 lekë. “Në zarf nuk mund të ketë më pak se 50 kuponë dhe vlera nominale e tyre nuk mund të jetë më e vogël se 5000 lekë. Nuk ka kufizime në vlerën e kuponit, sepse jemi të interesuar të kapim çdo lloj kuponi, duke filluar nga ai 50 lekësh i kafesë e deri te të mëdhatë”, tha Geraldina Prodani.
Çmimet
Lotaria do të ketë mbi 500 çmime fituese, të ndara në dy grupe, si çmime të mëdha dhe ato më të vogla. Për grupin e parë, fituesit do të përcaktohen sipas një formule, që bazohet te vlera e kuponëve në zarf dhe numri i tyre. “70% e pikëve merren nga vlera e kuponëve në zarf dhe 30% nga numri i tyre. Në bazë të këtij vlerësimi pikësor do të bëhet edhe kategorizimi për çmimet. Çmimi i madh është mbi një milion lekë, që ndiqet nga 10 çmime pasuese me nga 100 mijë lekë”, shpjegoi Geraldina Prodani. Grupi i dytë, ai i çmimeve të vogla, do të shpallet nga sistemi kompjuterik i Tatimeve, i cili përzgjedh automatikisht dhe në mënyrë rastësore “bar kodin” e zarfeve. Në këtë grup ka 200 çmime me vlerë 15 mijë lekë dhe 300 të tilla me vlerë 10 mijë lekë. “Ka shumë pyetje, njerëzit pyesin nëse është më mirë të konkurrosh me një zarf apo me disa të tillë. E para të jep më shumë mundësi për çmimin e madh, e dyta për çmimet e vogla. Ndaj është zgjedhje personale e gjithkujt”, deklaroi Geraldina Prodani.
Hedhja e shortit
Shorti për lotarinë do të hidhet në datën 15 janar 2016. Shorti i parë do të shërbejë si test, ndërkohë që ministria thotë se, lotaria do të vazhdojë edhe më pas, por me një formulë që mbetet për t’u përcaktuar. Hedhja e shortit dhe përzgjedhja e fituesve do të kryhet në mënyrë elektronike dhe do të transmetohet nga televizionet kombëtare, në një orar që do të përcaktohet më vonë dhe do të njoftohet përmes reklamimit në media. Në rastin kur një numër është përzgjedhur fitues dhe, pas verifikimit të të dhënave të deklaruara në zarf, rezulton se ka mospërputhje me gjendjen faktike të tij, çmimi do të anulohet. Për çmimet e mëdha, shpallja e fituesve do të bëhet pas hedhjes së shortit dhe pasi të jenë verifikuar të dhënat e deklaruara nga pjesëmarrësit me gjendjen e zarfit.
Çmimet
Kategoria I, 1 fitues, 1 milion lekë
Kategoria II, 10 fitues me 100 mijë lekë
kategoria III, 200 fitues me 15 mijë lekë
Kategoria IV, 300 fitues me 10 mijë lekë
Më të lexuarat








