Secondary Adv

Kuvendi i Malit te Zi voton sot per shkarkimin e kryeministrit

Kuvendi i Malit të Zi do të votojë ditën e sotme pro ose kundër shkarkimit të kryeministrit Dritan Abazoviç.

 

Mocioni i mosbesimit ndaj Abazoviç është paraqitur nga partia e presidentit Milo Gjukanoviç dhe është firmosur nga 36 deputetë. Seanca do të nisë sot në orën 11:00. Në të do të marrë pjesë edhe vetë Abazoviç me ministrat e kabinetit të tij.

 

Për të rrëzuar Qeverinë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga 81 që janë në Kuvend. Pakënaqësia ndaj qeverisë së Abazoviç vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes themelore për Kishën Ortodokse Serbe që u cilësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit.

 

Abazoviç tha se nënshkrimi i Marrëveshjes me Kishën është mënyra për të arritur një konsensus parlamentar për çështjet e rëndësishme për integrimin në BE. Ditën e sotme do të vendoset nëse Kuvendi do t’i japë një shans të dytë Abazoviç apo do ta shkarkojë.

 

Në rast se Abazoviç do t'i mbijetojë votimit të sotëm, provimi i ri do të jetë më 2 shtator, me kërkesë të Frontit Demokratik (FD) dhe Demokratëve, kur do të vendoset edhe për propozimin e tyre për shkarkimin e kryetares së Kuvendit Danijela Gjuroviq.

 

Çfarë përmban Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe

Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.

 

Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.

 

Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës,

 

kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat