Secondary Adv

Kuvendi i Malit te Zi rrezon qeverine e Abazovic, 50 deputete votuan pro

Vetëm 115 ditë ka zgjatur qeverisja e Dritan Abazoviçit, pak mesnate Kuvendi i Malit të Zi votoi pro mosbesimit ndaj Qeverisë së tij.

 

Pas një seance rreth 12 orë me diskutime e debate, Qeveria u rrëzua me 50 vota pro dhe një kundër. Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga 81 që janë gjithsej në Kuvend.

 

Pas shkarkimit të tij, Abazoviç mbajti një fjalim ku pranoi humbjen, por tha se ndihet krenar për çfarë ka bërë dhe se qeveria e tij do të mbahet mend për vendimet më të vështira që janë marrë ndonjëherë.

 

Ai akuzoi sërish kundërshtarët politikë se janë të lidhur me krimin e organizuar. “Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë në 100 ditë. Ne do të kujtohemi si qeveria që zgjati më pak, por që mori vendimet më të vështira”, tha ai.

 

Deri në zgjedhjen e qeverisë së re, do të formohet një qeveri teknike, por Abazoviç deklaroi se nuk do të marrë pjesë. Shkak për shkarkimin e tij u bë marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe që u cilësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit.

 

Por, sipas Abazoviç nënshkrimi i kësaj marrëveshje është mënyra për të arritur një konsensus parlamentar për çështjet e rëndësishme për integrimin në BE.

 

Për rrëzimin e qeverisë votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, të cilët dorëzuan në Kuvend mocionin e mosbesimit, Demokratët e Aleksa Beçiçit,

 

Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet. Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviçit nuk morën pjesë në votim.

 

Çfarë përmban Marrëveshja Themelore ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe

Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd.

 

Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.

 

Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës,

 

kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat