Secondary Adv

BSH bleu 8.4 mln Euro te premten, kursi mbetet i qendrueshem

Banka e Shqipërisë zhvilloi të premten ankandin e radhës për blerje të valutës në tregun e brendshëm financiar.

 

Sipas të dhënave nga tregu, në ankand u blenë gjithsej 8.4 milionë Euro. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 8 milionë eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë të plotë vlerën e sipërme të intervalit prej tetë milionë Eurosh.

 

Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 117.15 dhe 117.33 Lekëve. Kursi mesatar i ponderuar i blerjeve në raundin e parë ishte 117.27 Lekë.

 

Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 0.4 milionë Eurosh, me kursin mesatar prej 117.27 Lekësh.

 

Kursi mesatar i ankandit rezultoi më i ulët se kursi mesatar i kuotuar nga bankat tregtare për operacionet në shitje të Euros (Ask) ditën e premte, që ishte në vlerën 117.46 Lekë.

 

Ashtu si ka ndodhur edhe në rastet e tjera, ankandet e BSH nuk e ndikuan shumë ecurinë e kursit të këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, të premten Euro u këmbye me 117.15 Lekë, me një rritje shumë të lehtë prej 0.02 pikë krahasuar me ditën e enjte.

 

Euro preku këtë vlerë nivelet më të ulëta historike në kursin e këmbimit me Lekun, duke zbritur deri në 116.6 Lekë, në fund të muajit Korrik.

 

Gjatë muajit Gusht, kursi pati një korrektim të lehtë në rritje, të lidhur kryesisht me blerjet e valutës nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, për nevoja të importit të energjisë elektrike.

 

Kërkesa e KESH e frenoi nënçmimin e mëtejshëm të Euros gjatë gushtit dhe ekspertët tashmë besojnë se efekti sezonal i lidhur me turizmin po zbehet gradualisht.

 

Mbiçmimi më i lartë historik i Lekut në kursin e këmbimit me Euron ka ndihmuar ekonominë shqiptare të amortizojë pjesërisht presionet e forta inflacioniste nga tregjet e huaja të mallrave.

 

Në kalendarin vjetor të ndërhyrjeve në tregun valutor, të hartuar në fund të vitit 2021, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar 15 ankande të blerjes së valutës.

 

Bazuar në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, parashikohet që për vitin 2022 të blihet në tregun e brendshëm valutor një shumë në intervalin midis 140 dhe 200 milionë eurove.

 

Blerjet e programuara të valutës nëpërmjet ankandeve nuk kanë qëllim të ndikojnë ecurinë e kursit të këmbimit, por bëhen për nevojat e administrimit të rezevrës valutore të vendit.

 

Në mesin e këtij viti, rezerva valutore e vendit kishte vlerën e 4.9 miliardë Eurove, në rritje me 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Vlera e rezervës valutore është e mjaftueshme për të mbuluar afërsisht 7.7 herë vlerën mujore të importeve (mbështetur në vlerën mesatare të importeve për 7-mujorin 2022).

 

Një nga parametrat bazë për të përcaktuar madhësinë e rezervës valutore është aftësia për të mbuluar të paktën katër muaj importe, ndërsa aktualisht rezerva valutore e vendit mbulon pothuajse tetë muaj importe, duke qenë dukshëm sipër objektivave të saj minimale.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/banka-e-shqiperise-bleu-8-4-milione-euro-te-premten-kursi-ngelet-i-qendrueshem/


Më të lexuarat