Ndryshon sistemi elektronik i gjobave, pershtatet me Kodin e ri Rrugor
Sistemi elektronik i gjobave pritet t’i nënshtrohet një sërë ndërhyrjeve.
Tashmë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka lidhur kontratën me operatorin fitues me një kosto 395 milionë lekë më TVSH apo rreth 3.2 milionë euro. Referuar dokumenteve nënvizohet se projekti së pari do të reflektojë disa aspekte që do të lehtësojnë procedurat mes institucioneve të përfshira.
“Si pasojë e ndryshimeve të Kodit Rrugor të datës 07.05.2021, sistemi i integruar e-gjoba ka nevojë të përditësohet për të reflektuar këto ndryshime.
Një ndër ndryshimet thelbësore është mënyra e regjistrimit te masave plotësuese ndaj shkelësve dhe komunikimi i këtyre masave në mënyre elektronike tek DPSHTRR.
Implementimi aktual në sistem është i tillë që këto masa plotësuese regjistrohen tek vendimet e OASH dhe në fund të ditës në bazë të një komunikimi me ëebservice dërgohen tek DPSHTRR, e cila më pas bën përditësimet përkatëse në regjistrat e tyre” thuhet në dokument.
Po kështu dokumentet nënvizojnë se akses në sistemin egjoba deri tani ka vetëm Bashkia e Tiranës.
“Te gjitha kundravajtjet rrugore që regjistron kjo bashki reflektohen në sistemin eGjoba dhe rrjedhimisht janë të aksesueshme për punonjësit e policisë rrugore nëpërmjet pajisjes tablet, aty ku është e aplikueshme.
Ky lloj aksesi që i është mundësuar Bashkisë Tiranë ka shumë të meta, si nga aksesi i të dhënave duke i mundësuar Bashkisë Tiranë akses dhe tek të dhënat e gjobave të policisë së shtetit, si dhe tek menaxhimi i informacionit.
Policia e Shtetit është e detyruar të suportojë Bashkinë Tiranë, ndërmjet sektorëve përkatës, në menaxhimin e përdorueseve dhe korrigjimin e të dhënave në procesverbalet e Bashkisë”.
Ky projekt gjithashtu do të bëjë të mundur shtimin e pajisjeve në mënyrë që e gjithë procedura të kryhet në kohë reale në sistem përmes kompjutera mobile nga me shumë agjentë policie.
Gjithashtu, do të krijohet një modul për supervizoret në aplikacionin mobile e-gjoba, mënyrë që të monitorohet procesi i agjenteve në terren.
Ndër të tjera do të mundësohet ndërveprimi me Policitë Bashkiake, te cilat do të regjistrojnë kundërvajtjet në e-gjoba dhe do ti shfaqen çdo punonjësi policie në verifikim mjeti pavarësisht vendndodhjes.
Në vitin 2021 në ndihmë të Policisë së Shtetit, nga SIDA u dhuruan 110 sete tableta, printer të cilat nuk janë kompatibel me software ekzistues SOTI MobiControl, por është i nevojshëm instalimi i aplikacionit egjoba në këto pajisje, duke përfshirë modifikime të nevojshme për mirëfunksionimin e tij.