Secondary Adv

Greqia sezon turistik rekord, pothuajse 1 milione turiste cdo jave

Prej kohësh nuk është dëgjuar kaq shumë muzikë, nuk është kërcyer kaq shumë, nuk është pirë e ngrënë pranë detit nën qiellin e verës sa këtë verë në Greqi.

 

Pas 12 vitesh krize financiare, dy vite pandemie të Coronës, dhe gjashtë muaj të luftës në Ukrainë, grekët duan të jetojnë sërish ditë pa shqetësime, para se të kthehen sërish në realitetin e ashpër të fakteve.

 

Në javën e tretë të gushtit 2022, shumica e grekëve kanë prenotuar pushimet, duke u përpjekur të harrojnë disi aferën e përgjimeve të gazetarëve, dramën e refugjatëve, krizën energjitike, inflacionin që në korrik u ngjit në vlerën e 11,6%.

 

Nga ana tjetër në Greqi shpresat janë shumë të mëdha që sezoni turistik i këtij viti të vazhdojë me këto ritme si deri më tani. Ekonomia e Greqisë është e varur nga turizmi, madje në vite të mira të ardhurat e turizmit përbëjnë 20% të kapacitetit ekonomik grek.

 

Viti 2022 duket se të jetë një vit shumë i mbarë për turizmin grek. Ministri i Turizmit, Vasilis Kikilias madje pret më shumë turistë se në vitin 2019, vit rekord deri më tani.

 

Në këtë vit në Greqi pushuan 33 milionë turistë, të ardhurat nga turizmi në 2019-n kapën vlerën e 18,2 miliardë eurove. Këtë vit priten rreth 20 miliardë euro të ardhura.

 

1 milionë turistë në javë

Shifrat aktuale janë shumë premtuese: Nga fillimi i gushtit gati çdo javë mbërrijnë 1 milionë turistë me avion në Greqi, sipas ministrit Kikilias.

 

Qindra mijëra të tjerë udhëtojnë më automjete në Kalkidiki apo Pieria në veri, shumica nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe korriku e qershori shënuan një fluks të madh turistësh.

 

"Nëse puna vazhdon kështu atëherë do të mbijetojmë dimrin e ardhshëm", shkruan Panayiotis, menaxheri i një lokali plazhi në Naksos. Ishulli më i madh i Kikladen kishte në korrik 2022 po aq vizitorë sa në vitin rekord 2019.

 

Në ishujt e njohur grekë si Mikonos, Santorini, Korfu, Kos apo Rodos është gati e pamundur të gjesh një vend, nëse nuk ke prenotuar në kohën e duhur. Me shumë para në kuletë dhe me fat mund të gjesh një dhomë në fillim të shtatorit./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat