Plani strategjik i tatimeve, ja si do te kontrollohen bizneset VIP deri me 2019
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të rikonceptojë kriteret për klasifikimin e bizneseve në linjën VIP. Në planin strategjik të tatimeve për periudhën 2015-2019 thuhet se, ekipet e tatimore do të specializohen për të kontrolluar VIP-at sipas sektorit ekonomik (p.sh., sektor financiar, telekomunikacion, energjetikë, ndërtim, prodhim, produkte farmaceutike, arsim, tregti, shërbime) dhe do të vazhdohet me mobilizimin e ekipeve me disa persona.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve parashikon që të ngrejë një mekanizëm të kontrollit të cilësisë së kontrolleve tatimore (p.sh., shqyrtim kolegjial, sektori i kontrollit të cilësisë, pyetësorë për tatimpaguesit). Në këtë kuadër do të shikohet edhe mundësinë e futjes së mjeteve elektronike të kontrollit tatimor dhe më pas në bazë të tyre do të merren vendimet. Gjatë kësaj periudhe tatimet do aplikojnë kompetencat e mbledhjes me forcë të detyrimeve për të përmirësuar efektivitetin dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme.
Do të krijohet një strukturë organizative e mbledhjes së borxhit pranë drejtorisë së përgjithshme dhe drejtorive rajonale. Numri i tatimorëve, që do të grumbullojnë detyrimet me forcë do të rritet 10-15%. Do të shqyrtohen masat për të siguruar pagesën paraprakisht të tatimit mbi fitimin dhe do të bëhen rekomandime për përmirësim (p.sh., akte ligjore dhe nënligjore).
Tatimet në tre vitet në vijim do të zhvillojnë struktura dhe sisteme për ta fuqizuar funksionin e mbledhjes së informatave dhe do ta përqendrojmë mandatin e informatave të mbledhura për hetimin e mashtrimit tatimor. Do të rindërtohet procesin e hetimeve për t’u marrë vetëm me hetimet dhe informatat e çështjeve penale dhe për t’i çliruar burimet e Task Forcës për prioritete të tjera të administratës.