Secondary Adv

Projekti per vijen bregdetare Vlore-Orikum, hapet tenderi per lotin 2

Projekti për rikualifikimin e vijës bregdetare Vlorë-Radhimë-Orikum që po financohet me një hua 30 milionë dollarë nga FSHZH do të vazhdojë me Lotin 2.

 

Tashmë Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka njoftuar çeljen e procedurës duke ftuar kontraktorët e interesuar për të dërguar ofertat e tyre lidhur me këtë projekt. Sipas njoftimit zbatimi do të zërë vend për një afat 24 muaj ndërkohë që parashikohet edhe 12 muaj që njihen si periudhë e njoftimit të defekteve.

 

“Procedura e tenderimit është Ofertë Konkurruese Ndërkombëtare për të gjithë Tenderuesit e kualifikuar siç përcaktohet në Udhëzimet për Prokurimin e Mallrave dhe kontraktimi për ekzekutimin e Punimeve të Fondit Saudit për Zhvillim; dhe do të ndjekë procedurën e paskualifikimit.

 

Kriteret për t’u përdorur në vlerësim janë: (i) Përshtatshmëria, (ii) Situata financiare në 5 vitet e fundit, (iii) Përvoja në Ndërtim, (iv) Burimet njerëzore dhe pajisjet, (v) Metodologjia e ndërtimit (vi) Historia e çështjeve gjyqësore dhe të tjera.

 

Kontrata do t’i jepet ofertës më të ulët të përgjegjshme duke vlerësuar kriteret e mësipërme dhe duke krahasuar më pas të gjithë ofertën e paraqitur. Raporti i Vlerësimit duhet të marrë miratimin paraprak dhe pa kundërshtim nga Fondi Saudit për Zhvillim (SFD).

 

Tenderuesi i shpallur fitues duhet të jetë i regjistruar në Shqipëri përpara nënshkrimit të kontratës” thuhet në njoftimin e FSHZH. Ofertat duhet të paraqiten jo më vonë se 21 tetori i këtij viti.

 

Projekti për vijën bregdetare

Rikualifikimi i vijës bregdetare Vlorë-Rradhimë-Orikum është vijim i projektit që nis në qytet dhe që njihet si Lungomare. FSHZH përgatiti më herët projektin i cili parashikon ndërhyrje përgjatë gjithë vijës bregdetare si dhe bypass-et në zonën e Ujit të Ftohtë.

 

Komponentët kryesorë të projektit përfshijnë ndërtimin e shtigjeve përgjatë vijës bregdetare, shëtitore, rrugë për biçikleta paralel me shëtitoren, trotuaret, gjelbërim, ndriçim sipas projektit të Fondit.

 

Rimodelimi i zonës prek 10 kilometra duke nisur nga Tuneli tek Marina në Orikum. Agjencia zbatuese e projektit për huanë e marrë nga qeveria është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

 

Data e përfundimit të projektit do të jetë 31 dhjetor 2023, ndërkohë që data e mbylljes së marrëveshjes së huas do të jetë data 31 dhjetor 2024.

 

 Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rikualifikimi-i-vijes-bregdetare-vlore-radhime-orikum-hapet-tenderi-per-lotin-2/


Më të lexuarat