
Administrata publike ne Kosove ne greve, kerkojne rritje pagash
Mësimdhënësit, edukatorët, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës nga sot hyjnë në grevë.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat. Sot fillon greva e përgjithshme e sektorit publik. Sindikalistët nuk kanë arritur të merren vesh me institucionet për të parandaluar grevën e paralajmëruar më parë.
Kryetari i Sindikatë së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Rrahman Jashari ka paralajmëruar se deri në realizimin e kërkesave të tyre, në grevë do të përfshihet i gjithë sistemi arsimor.
Në grevë janë edhe kopshtet, kështu që nuk do t’i pranojnë fëmijët. SBASHK ka bërë thirrje që anëtarët të marrin pjesë në komisione dhe administrim të provimit të maturës shtetërore, që do të mbahet të shtunën.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Kryetari i këshillit grevist të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se nuk dihet se kur do të përfundojë greva, derisa i bën thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë qasjen dhe të realizojë kërkesat për mbështetje prej 100 euro për sektorin publik.
“Greva do të vazhdojë deri në zgjidhjen e kërkesave, është ardhur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Jo nga SBASHK-u ose ndonjë federatë, por nga BSPK dhe në pajtueshmëri edhe të SBASHK-ut dhe të federatave të tjera.
Fillon të enjten dhe do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të BSPK-së dhe federatave të tjera drejtuara qeverisë”, thekson Jasharaj. Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se paralajmërime të tilla janë kërcënim dhe bojkot.
“Jo, nuk është kërcënim as bojkot dhe se mund të ketë grevë të përgjithshme e kemi paralajmëruar qeverinë përmes mediave dhe përmes shkresave tani e sa muaj. Kemi insistuar dhe jemi angazhuar për dialog.
Qeveria Kurti asnjë milimetër nuk e ka bërë në këtë çështje, nuk ka pranuar dialog dhe as të merret me kërkesat tona. Greva ka ardhur si produkt i kësaj çështje, i mungesës së dialogut”.
E lidhur me grevat ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke thënë se nuk është koha e kërcënimeve dhe bojkoteve nga ana e sindikatave dhe punëtorëve.
Kryeministri Kurti në konferencën për media theksoi se është gabim që të mbahen grevat në kohën kur është proceduar Projektligji për pagat. “Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash kur Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim.
Nuk është koha për greva, është koha për punë. Ne duam sindikata jo spektatore, por pjesëmarrëse… Disa prej tyre kanë udhëheqësi të re, duhet të ketë emancipim të ndërsjellë, ne jemi për dialog social pa kërcënime, pa ultimatum.
Duam që të vazhdoj dialogu social, mirëpo nuk mendojmë që është koha e grevave dhe bojkoteve”, theksoi ai. Për grevën në arsim ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Nagavci, duke kërkuar që mos t’i nënshtrohen presionit të SBASHK-ut për grevë.
Ministrja Nagavci tha se MASHT-i me kohë ka përfunduar përgatitjet rreth fillimit të vitit të ri shkollor. Sipas saj, me një shtator nxënësit do të pajisen me librat shkollor dhe këtë vit nxënësit fillojnë me Abetaren e re të përbashkët, Kosovë Shqipëri.
Ministrja e Nagavci edhe njëherë ka ftuar mësimdhënësit që të fillojnë procesin mësimor më 1 shtator. Sipas saj, mësimdhënësit janë trajtuar mirë më ligjin e ri për paga, i cili pritet të miratohet.
Mësimdhënësit. sipas saj, janë trajtuar më mirë se nga qeveritë paraprake, njëherë fton SBASHK-un që të heq dorë nga “interesat të ngushta”.
“Si ministri jemi të angazhuar të tejkalojmë disa probleme që kanë qenë prezentë në të kaluare. Kjo qeveri ka ndërmarr shumë hapa të rëndësishëm në tejkalimin e vështirësive të mësimdhënësve.
Ne duhet të jemi të kujdesshëm me mjetet e buxhetit. Mos të vazhdohet me avazin e vjetër për greva, besoj se as mësimdhënësit nuk pajtohen me kërcënimin për grevë”, tha ajo.
Sipas saj, Qeveria e Republikës së Kosovës po ballafaqohet me pasojat e veprimeve të qeverive të mëparme, por nuk do të lejohet as zhvatjen e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër, që bie ndesh me ligjin.
Paga bazë e një mësimdhënësi në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë është 470 euro. Për 100 euro shtesë deri në miratimin e legjislacionit për pagat, por edhe për kërkesa të tjera, sindikalistët kanë protestuar më 8 prill të këtij viti.
Në muajin maj, në disa institucione publike, siç janë ato të arsimit, administrata publike, energjetika, dogana, kanë mbajtur greva njëorëshe.
Qeveria e Kosovës, disa ditë më vonë, në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, ka vendosur të ndajë nga 100 euro shtesë për muajin prill, për disa kategori të shoqërisë, përfshirë punëtorët në sektorin publik dhe privat.
Por, këto mjete, sipas sindikatave të punëtorëve, kanë qenë të pamjaftueshme për të zbutur gjendjen e rënduar ekonomike të punëtorëve nga rritja e çmimeve të konsumit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova po përballet me një inflacion të lartë. Norma e inflacionit në muajin korrik ka arritur në 14.2 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.
Rritja e çmimeve ka nisur nga viti i kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt.
Ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka hartuar Projektligjin për pagat. Ky legjislacion duhet të kalojë fillimisht procedurat e konsultimeve paraprake e publike dhe, pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.
Ndryshe, numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83.000. Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka qenë 484 euro.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/sektori-publik-ne-kosove-nis-greven-kerkojne-100-euro-per-punetoret/
Më të lexuarat









