Marreveshja CEFTA, dyfishohen eksportet ne Ballkan
Gjatë 9-mujorit, tregtia e lirë në Ballkan është shfrytëzuar shumë më tepër nga eksportuesit shqiptarë. Sipas të dhënave doganore, në gjashtë vendet fqinje të rajonit të Ballkanit, eksportet arritën 15.6 miliardë lekë, duke u rritur rreth 216% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndikimin më të madh në rritje vlerësohet ta kenë dhënë eksportet e shtuara të naftës në Kosovë, ndërsa prodhimet bujqësore kanë shtuar praninë e tyre në të gjitha këto tregje. E njëjta tendencë nuk duket në importet tona nga rajoni. Të dhënat e tregtisë flasin për ulje prej 2.2% të vlerës së importit krahasuar me nëntëmujorin e vitit 2014.Në total, tregtia e lirë me rajonin u rrit rreth 30%, ndërsa deficiti u përmirësua katër herë, duke zbritur nga 11.6 miliardë lekë në 9-mujorin 2014 në vetëm 2.9 miliardë lekë 9-mujorin e këtij viti.
Dyfishimi i eksporteve në rajon, ndërsa në total eksportet ranë 3.7%, bëri që pesha e Ballkanit në eksporte të rritet me rreth 2% duke kaluar nga 7% në 9% këtë vit. Në importe, pesha e Ballkanit shënoi ulje me 3 %, duke zbritur nga 13% në 10%. Ulja erdhi për shkak të rritjes së importeve në total, ndërsa importet nga Ballkani ishin shumë pak më të ulëta nga një vit më parë.