Secondary Adv

Qeveria 1 mln dollare fond per biznesin e vogel, kategorite dhe kriteret

Qeveria do të mbështesë biznesin e vogël dhe të mesëm përmes granteve deri në 2.5 milionë lekë.

 

Fondi total i vënë në dispozicion është në vlerën e 105 milionë lekëve ose rreth 1 milion dollarë dhe synon të ndahet si mbështetje financiare për ato ndërmarrje, të cilat do të paraqesin projekte që kanë në fokus zhvillimin e proceseve teknologjike.

 

FONDI

Vendimi “Për përcaktimin e masës së përfitimit, kritereve dhe kushteve të veçanta të përfitimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme” është botuar disa ditë më parë edhe në Fletoren Zyrtare.

 

“Fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, nga buxheti i shtetit për vitin 2022, është në shumën/vlerën 105 000 000 lekë dhe

 

përballohet në masën 70 000 000 lekë nga shpenzimet korrente dhe 35 000 000 lekë nga shpenzimet kapitale të programit, ‘Mbështetje për zhvillimin ekonomik’, të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

 

Në varësi të projektit konkurrues të përgatitur nga kërkuesi, fondi mbulon 80 për qind të kostove të miratuara, por jo më shumë se 2 500 000 lekë”, thuhet në vendim.

 

KRITERET

Për të përfituar nga ky fond duhet të plotësohen disa kushte. Vendimi përcakton që kriter elementar është që projektplani i biznesit të përputhet me objektin dhe qëllimin e dhënies së grantit.

 

“Kërkuesi për përfitimin e fondit plotëson kriteret e përgjithshme të përcaktuara në pikën 5, të nenit 11, të ligjit nr. 43/2022, ‘Për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme’, si dhe kriteret e veçanta të lidhura me projektplanin e biznesit, si më poshtë vijon:

 

Përputhshmëria e planit të biznesit me objektin dhe qëllimin e dhënies së grantit, duke pasur në fokus nxitjen, përparimin e zhvillimin e proceseve teknologjike dhe treguesve të digjitalizimit;

 

qartësia, saktësia dhe objektiviteti i planit të biznesit, elemente të cilat identifikohen nëpërmjet rezultateve të matshme nga realizimi i tij; qartësia dhe specifikimi konkret i argumentuar i treguesve të digjitalizimit;

 

plani konkret dhe i argumentuar, që justifikon rritjen e numrit të të punësuarve në ndërmarrje; të dhëna konkrete dhe të argumentuara për impaktin pozitiv në mjedis, produkt i realizimit të projektplanit të biznesit”.

 

Vendimi përcakton po ashtu se aktivitetet e lejuara në projektet e ndërmarrjeve, me qëllim përfitimin e mbështetjes, plotësojnë të paktën një nga këto kushte të veçanta:

 

Blerjen e pajisjeve të reja digjitale apo teknologjike; blerjen apo ndërtimin e aplikacioneve për shërbim klienti apo menaxhim të dhënash;

 

ndërtimin e një faqeje “web”-i, platforme online për marketingun e kompanisë, promovimin e ndërlidhjen me klientët dhe së fundmi blerjen e aplikacioneve apo paketave të ndryshme të programeve kompjuterike./Burimi: Panorama.al


Më të lexuarat