Kriza nuk kursen as pastrimet kimike, cmimet rriten deri ne 50 per qind
Sipas një vëzhgimi në terren në shumë zona të kryeqytetit, si Kinostudio, Fresku, ish Blloku dhe Komuna e Parisit është shënuar rritje e çmimeve për pastrimin e rrobave.
Bizneset pohuan se këtë periudhë po vuajnë shtrenjtimin e lartë të detergjenteve, lëndëve specifike për pastrimin e njollave, qeseve dhe varëseve çka i ka detyruar të rrisin çmimit nga 20 deri 50% më shumë se vjet.
Vera H. zotëron 3 dyqane të pastrimit kimik në zonë e Kinostudios dhe Freskut. Ajo tha për Monitor se në këtë periudhë ka rritur çmimet deri 50% më lart se vjet për disa veshje, si këmishat, fustanet dhe xhupat me pupla për shkak të shtrenjtimit të kostove nga lëndët e pastrimit.
“Çmimi i çdo detergjenti është rritur 60 deri 70 lekë më shumë. Rritje të lartë ka shënuar edhe çmimi i solucionit për pastrimin e njollave të vajit, verës apo njollave të tjera të vështira.
Më parë 23 litra solvente (solucion pastrimi për njollat) shitje 6,000 lekë ndër aktualisht shitet 1,000 lekë (rritja 66%), çmimi për 500 copë varëse kushtonte 3,300 lekë ndërsa tani ka shkuar 4,500 lekë (rritja 36%), ndërsa çmimi i qeseve nga 250 lekë kg po blihet 480 lekë kg (92% më e lartë se vjet)”.
Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të detergjenteve dhe solucioneve pastruese, qeseve dhe varëseve çmimet e pastrimit të veshjeve në këto 3 pika kanë shënuar rritje nga 33 deri 50%.
Konkretisht për klientët që sjellin çdo javë pastrim kimik këmishat, larja e tyre e 150 lekë/copë ka shkuar në 200 lekë, rritja 33%. Çmimi i larjes se fustaneve është rritur 50% nga 400 lekë ka arritur në 600 lekë dhe i xhupave me pupël 40% nga 500 lekë në 700 lekë.
Shtrenjtimin e detergjenteve dhe solucioneve pastruese në këtë periudhë po e vuajnë në tërësi të gjitha bizneset e pastrimit kimik.
Hatixhe Petoshi që mbi 5 vitesh zotëron një dyqan pastrim kimik në zonë e Komunës së Parisit thotë se deri tani ka mbajtur të pandryshuar çmimet për të mos tkurrur kërkesën.
Ajo shprehet se për disa veshje siç janë kostumet çmimet e pastrimit nga muaji shtator do të rriten 20% nga 500 lekë në 600 lekë.
Znj. Petoshi thotë se pavarësisht rritjes së çmimit të detergjentit nga disa subjekte rritja është abuzive, pasi për këto biznese çmimi i energjisë ka mbetur i pandryshuar, që zë peshën më të lartë në kostot e pastrimit.
Rritje të lartë të çmimeve të pastrimit kimik janë shënuar edhe në zonën e ish Bllokut. Larja e atleteve nga 1,000 lekë kushton 2,000 lekë, rritja 100%.