Secondary Adv

60 mije biznese greke drejt Shqiperise, Bullgarise dhe Qipros

Dhoma kombëtare e Tregtisë në Greqi njoftoi se, vendi rrezikon të humbë 120 mijë biznese të vogla dhe të mesme si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit, ndërkohë 60 mijë kompani greke kanë bërë kërkesë për t’u shpërngulur në vendet e rajonit.


Sipas presidentit të Dhomës, Vasili Korkidis, i cituar nga gazeta “Kathimerini”, më shumë lëvizje të biznesit pritet të ketë në drejtim të Bullgarisë, Shqipërisë dhe Qipros. Transferimi i këtyre bizneseve është detyruar për shkak të vështirësive të mëdha që po hasin në Greqi. Vasili Korkidis shprehet se biznesi në Greqi është mbitaksuar për një kohë të gjatë dhe tashmë i ka ardhur fundi durimit. Sipas të dhënave zyrtare, nga organizata më e madhe e biznesit në Greqi, aktualisht 60 mijë ndërmarrje greke të madhësive të ndryshme kanë hapur NIPT-e në vendet fqinje.


Sipas Dhomës së Tregtisë, këto NIPT-e nuk janë aktivizuar ende, por hapja e tyre tregon se bizneset greke po bëjnë përgatitje për t’u shpërngulur në vendet fqinjë, ku taksat janë më të ulëta dhe nuk ka kontrolle mbi kapitalin. Në 6 vitet e fundit, kriza ka falimentuar mbi 50 mijë biznese në Greqi. Sipas parashikimeve të Dhomës së Tregtisë, në 2016-n vlerësohet se mund të falimentojnë edhe 63 mijë kompani të tjera, për shkak se kontrollet mbi kapitalin, që qeveria vuri verën e këtij viti, kanë thelluar krizën e likuiditetit. Shumica e ndërmarrjeve përballen me vonesa në pagesa dhe pamundësi financiare.


Nga ana tjetër, 7 vite krizë kanë çuar në një rënie të thellë të konsumit, e cila vlerësohet gati 42 për qind, duke rrudhur të ardhurat e bizneseve, veçanërisht atyre të vogla e të mesme. Mësymja e bizneseve greke në rajon mund të jetë një mundësi e mirë për ekonomitë fqinje, përfshirë Shqipërinë, për të përfituar kapital dhe investime të reja, të cilat krijojnë vende pune dhe gjenerojnë prodhim në ekonomi. Të dhënat tregojnë se, deri më tani, përfituesja kryesore nga eksodi i kapitalit grek ka qenë Bullgaria, ku prej vitit 2009 janë shpërngulur mbi 10 mijë biznese greke, të cilat kanë investuar në total mbi 4.5 miliardë euro në ekonominë bullgare.


 Shumë biznese greke mund të transferohen në Shqipëri për shkak të përjashtimit të biznesit të vogël nga taksat. Me gjithë krizën e thellë ekonomike që po kalon prej më shumë se gjashtë vitesh, Greqia mbetet investitori më i madh i huaj në Shqipëri. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në fund të vitit 2014 stoku i investimeve të huaja që janë realizuar ndër vite, ose ndryshe asetet totale të ekonomisë që zotërohen nga të huajt, ishte rreth 4 miliardë e 553 milionë euro. Banka e Shqipërisë thotë se 26% e këtij stoku, ose mbi 1.1 miliardë euro, u përkasin kompanive greke. Përveçse ka stokun më të madh kumulativ të investimeve në ekonominë shqiptare, Greqia vazhdon të jetë edhe investitori më i madh korrent.


Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte ishin 869 milionë euro. Nga këto, 121 milionë euro ose 14% ishin kapitale me origjinë greke, një tregues i cili ilustron ndikimin e madh që ekonomia helene ka mbi atë shqiptare. Pas Greqisë, investitori i dytë më i madh në Shqipëri është Kanadaja, me 17% të totalit, ndërsa në vendin e tretë vjen Italia, e cila zë 12% në stokun e investimeve. Të dhënat tregojnë se sektori me investimet më të mëdha nga jashtë është transporti dhe telekomunikacioni, i cili ka thithur 27% të totalit të kapitaleve që kanë hyrë nga jashtë.


Më të lexuarat