Rritet me 9 per qind kredia konsumatore ne 6 mujorin e pare
Kredia konsumatore e dhënë nga sektori bankar shqiptar po vijon rritjen edhe këtë vit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për 6-mujorin bankat tregtare dhanë gjithsej mbi 17 miliardë lekë konsumatore, përfshirë këtu edhe overdraftet. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kredia e re konsumatore është rritur me 9%.
Vlera aktive e portofolit, gjithmonë duek përfshirë edhe overdraftet, në fund të qershorit arriti vlerën e 67.6 miliardë Lekëve, në rritje me 10.8% me bazë vjetore.
Analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia konsumatore zakonisht ka një natyrë prociklike, duke qenë se është një kredi që mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij.
Për këtë arsye, ecuria e kredisë konsumatore mund të jetë një indikator për tendencat e konsumit privat në ekonomi.
Një rënie drastike në flukset e kredisë së re konsumatore ndodhi në muajt pas pandemisë dhe mbylljes së ekonomisë, por rimëkëmbja erdhi shumë shpejt, në linjë me gjallërimin e shpejtë të aktivitetit ekonomik.
Ecuria ende pozitive e kredisë konsumatore në gjysmën e parë të këtij viti tregon se ky konsum po rezulton në një trajektore pozitive, megjithëse këtë vit po vendoset nën preison të fortë nga rritja më e lartë e çmimeve qysh prej krizës së vitit 1997.
Të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto tregojnë se konsumi final i popullsisë shënoi një rritje me afërsisht 5% në tremujorin e parë.
Por, gjatë tremujorit të dytë ritmet e rritjes së inflacionit janë përshpejtuar ndjeshëm dhe një lloj efekti në ecurinë e konsumit vërehet tërthorazi nga ecuria e importeve të mallrave.
Gjithashtu, disa sinjale vërehen edhe në strukturën e kredisë konsumatore, lë lidhura me qëllimin e përdorimit të saj. Statistikat e Bankës së Shqipërisë japin një ndarje të kredisë konsumatore në tre grupe kryesore: kredi për mallrat ë qëndrueshëm, për mallra jo të qëndrueshëm dhe overdrafte.
Sipas këtyre nënndarjeve vërehet se rritja ka ardhur kryesisht nga kredia për mallrat ë qëndrueshëm, si edhe në një masë më të vogël, nga overdraftet.
Ndërkohë, kredia për mallra të qëndrueshëm këtë vit paraqitet në vlera më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Mallrat e qëndrueshëm në përgjithësi përkufizohen si produkte që kanë një jetëgjatësi më të madhe se tre vjet.
Kjo do të thotë se kredia konsumatore për këtë qëllim përfshin kryesisht financimin e blerjes së pajisjeve elektronike, elektroshtëpiake, mobiljeve, automjeteve, etj.
Fakti që kredia konsumatore për këto mallra ka rënë mund të jetë një dëshmi se në fakt shqiptarët po shpenzojnë më pak për to, pikërisht sepse rritja e çmimeve i ka detyruar të shpenzojnë më shumë për mallrat e konsumit të përditshëm.