Bien importet e kafes, Shoqata e Bareve: Shkak mbyllja e lokaleve
Importet e kafesë për periudhën janar-qershor të 2022 sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë rreth 7% më pak se krahasuar me vjet.
Në bazë vjetore për 2021, importet janë rritur rreth 9,5% më shumë se 2020. Pavarësisht se për vitin 2020, Covid-19 dhe periudha e karantinës kufizoi lëvizjet e njerëzve, por nuk largoi dot dëshirën për të konsumuar kafe, qoftë edhe në kushtet e shtëpisë.
Sipas distributorëve të artikujve ushqimorë, në muajt e karantinës, u rrit më tepër konsumi i kafesë në shtëpi me tableta. Në këtë periudhë janë shitur mjaft makineta kafeje.
Për shoqatën e Bareve dhe Restoranteve aktualisht rënia e importit është ndikuar nga mbyllja e shumë bareve apo lokaleve në vend.
Enri Jahaj përfaqësues i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve tha për Monitor se për shkak të rënies së xhiros në kryeqytet shumë struktura shërbimi po jepen me qira, pasi për pronarët është e paleverdishme mbajtja e biznesit.
“Në zonën e Kinostudios gati gjysma e lokaleve po jepen me qira. Situata është e ngjashme edhe në zona të tjera, të qendrës apo Kombinatit. Jo vetëm bizneset e bareve dhe lokaleve, por edhe të restoranteve, lounge, klubet e natës janë në gjendje shoku nga rënia e konsumit.
Shqiptarët nuk kanë më para të shpenzojnë. Në kahun tjetër me rritjen e lartë të çmimeve të furnizimeve për pronarët është e vështirë mbajtja hapur e biznesit. Mbyllja e bizneseve do të vazhdojë jo vetëm këtë vit, por edhe për 2023”, pohoi ai.
Për 2022 rënia e konsumit në këto sipërmarrje filloi të reflektohet që në muajt shkurt-mars kur pati rritje të çmimeve të produkteve të shportës, por edhe të lëndëve të para nga importi.
Ndërsa rritja e çmimeve të ushqimeve rriti presion për shtrenjtim të çmimeve në bare dhe restorante. Konsumi pati zvogëlim edhe vitin e kaluar për shkak të pandemisë.
Përfaqësuesit e Shoqatës të Bareve dhe Restoranteve nënvizuan më herët se Covid-19 për baret dhe restorantet për 2021 krijoi një model të ri të sjelljes së klientit, pasi shumica prej tyre u mësuan të konsumojnë kafene dhe vaktin kryesor në zyra dhe shtëpi dhe për këtë arsye konsumi ra ndjeshëm.
Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT në 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5.2%. Në vend kanë gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës.
Gjithashtu sektori po përballet edhe me një tjetër krizë atë të mungesës së fuqisë punëtore. Shumë subjekte bare dhe restorante e kanë të vështirë të gjejnë punonjës të rinj.
Edhe ata pak punonjës që kanë mbetur në vend kërkojnë pagesa të larta. Kjo gjendje vështirësoi edhe më tepër aktivitetin e këtyre strukturave për 2022.
Burimi: https://www.monitor.al/bien-importet-e-kafese-shoqata-e-bareve-dhe-restoranteve-ndikimi-nga-mbyllja-e-lokaleve-per-shkak-te-renies-se-konsumi/