Komisioni Europian shprehet kunder Pasaportave te arta te Shqiperise
Zëdhënësja e KE ka realizuar një intervistë për DW mbi rreziqet e zbatimit të projektit të qeverisë për dhënien e shtetësisë të huajve që mund të investojnë në Shqipëri.
Sipas saj BE respekton të drejtën e vendeve sovrane për të vendosur mbi mënyrën e dhënies së shtetësisë por në të njëjtën kohë, konteksti aktual i agresionit rus kundër Ukrainës, nxjerr më tej në pah, rreziqet që paraqesin skemat e shtetësisë për investitorët e huaj dhe nevojën e hapave të menjëhershme.
Hernandez u shpreh se këto janë programe që ofrojnë shtetësinë në këmbim të një pagese ose investimi të paracaktuar dhe pa një lidhje reale me vendin në fjalë.
Në intervistën e dhënë për DW ajo u shpreh se ‘Rreziqet përfshijnë infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta.
Komisioni i konsideron këto skema në shkelje të ligjit të BE dhe ka nisur në 2020 procedurat kundër shteteve anëtare që e kanë shkelur këtë ligj. Për shkak të perspektivës së shtetësisë së ardhshme të BE, kombësia e vendeve kandidate mund të bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët.’
Aktualisht BE po monitoron, në kuadrin e procesit të anëtarësimit në BE, çdo plan nga vendet kandidate për të futur skemat e shtetësisë dhe sipas Hernandez BE po përgatit raportet e ardhshme vjetore të paketës së zgjerimit, që pritet të prezantohen në tetor.
Në lidhje me incidentin në objektin ushtarak në Gramsh Hernandez u shpreh se BE po pret një hetim të plotë nga autoritetet përkatëse shqiptare, i cili tashmë ka nisur dhe ndërkohë Shqipëria dhe BE kanë një partneritet të ngushtë për çështjet e sigurisë./Burimi: DW