Secondary Adv

Financimi i fermereve per mbjelljen e grurit, hapen aplikimet

Nga 1 shtatori deri më 23 shtator, fermerët do kenë mundësinë të aplikojnë përmes e-albania për të marrë mbështetje financiare për kultivimin e grurit.

 

Kjo masë është ndërmarrë nga Ministria e Bujqësisë për të nxitur fermerët drejt prodhimit të kësaj kulture, për shkak se varësia e konsiderueshme ndaj importit solli rritje të shpejtë të çmimit të miellit, bukës dhe nënprodukteve të tjera, duke bërë që produktet bazë të shportës të kushtojnë më shumë për konsumatorët shqiptarë.

 

Ndërsa lufta në Ukrainë vijon, trendi për vijmësinë e rritjes së çmimeve po ashtu është i dukshëm. Kështu, mbështetja që jepet nga AZHBR si masë parandaluese për këtë trend, do jenë në vlerën 30 mijë lekë për hektarë, për sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 hektarë.

 

Përfitues nga kjo masë mund të jenë fermerë individualë, SHBB, Person Fizika ose Juridikë. Për të përfituar, aplikanti duhet të jetë i pajisur me NIPT fermeri aktiv; Toka të jetë në pronësi ose në përdorim (qira, huapërdorje etj.); të ketë faturë të fiskalizuar për blerjen e farës dhe plehrave kimike.

 

Dokumentacioni që dorëzohet nga aplikanti pas përfshirjes në listën e subjekteve të kualifikuara ështrë  dokumentacioni i pronësisë së tokës apo përdorimit. Pagesat do të kryhen brenda 2022 për sipërfaqet e mbjella dhe kontrolluara në parcelë. Shqipëria kultivon rreth 54 mijë hektarë grurë.

 

Qarku i Fierit kultivon sipërfaqen më të madhe me rreth 27%, Korça zë vendin e dytë me rreth 22% dhe qarku i tretë i rëndësishëm është Elbasani ku kultivohet rreth 16%. Kosto mesatare  e prodhimit të grurit llogaritet në rreth 212 mijë lekë për hektarë.

 

Sipas të dhënave zyrtare të instat fermerët shqiptarë prodhojnë mesatarisht 233 mijë ton grurë në vit por kjo sasi është e pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën konsumatore, pasi në të njëjtën kohë importet u regjistruan në 221 mijë ton grurë vitin që lam pas, në një vlerë prej rreth 7 miliardë  lekësh./Burimi: SCAN


Më të lexuarat