Nga tetori faturim me fasha, 30 per qind e familjeve harxhojne mbi 800 kw
Më 1 tetor faturimi i energjisë elektrike nuk do të jetë i njëjtë për të gjithë, si aktualisht me 9.5 lekë për kilovat.
Këtë dimër, faturimi do të bëhet me fasha, kush shpenzon mbi 800 kilovat do të paguajë më shtrenjë. Nën këtë vlerë do paguhet 9.5 lekë/kilovat.
1 muaj larg faturimit me fasha, ende nuk është caktuar se cili do të jetë çmimi i ri për familjet që shpenzojnë mbi 800 kilovat që qeveria i konsideron familje të pasura.
“Është bërë studimi se sa familje preken dhe sa do jetë ky çmim. Synojmë të mos prekim çmimin e tregut. Mbrëmë në orën 20:00 çmimi në bursën hungareze që i referohemi edhe Shqipëria arriti në 1040 euro për megavat.
Mund ta llogarisni vetë sesa është kilovati për orë dhe nëse do ti ekspozonim qytetarët tanë përballë këtyre çmimeve do të ishte e pamundur.
Megjithatë fasha 800 kilovat ka disa propozime nga Operatori i Shpërndarjes dhe MIE, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i Ministrave për t’u zgjedhur ajo që do të jetë më e mirë edhe për të optimizuar financat e sektorit,
por edhe për të diferencuar mburojën sociale që i japim qytetarit për nevojat që një familje sa i përket energjisë elektrike dhe pastaj ata qytetarë që vendosin të shpenzojnë më shumë por që mbetet në diskrecionin e tyre për të paguar një çmim më të lartë”, tha Balluku.
Por sa është numri i familjeve që edhe pse mund të shpenzojnë njësoj, nga 1 tetori do të preken nga shtrenjtimi i faturës së enegjisë elektrike?
Report Tv mëson se afro 30% e familjeve në vend konsumojnë më shumë se 800 kilovat orë në muaj.
Energjia me fasha një nga masat që qeveria merr për të përballuar krizën globale të energjisë që ka sjellë çmime stratosferike për megavat. Të martën në bursë çmimi arriti deri në 1047 euro megavati.
Aktualisht qeveria që po e blen më shtrenjtë energjinë në tregjet ndërkombëtare, nuk e ka prekur çmimin për qytetarët dhe diferencën po e përballon nga buxheti i shtetit.
Nëse aktualisht qytetarët do ta paguanin energjinë me çmimin e tregut, fatura do ishte gati e papërballueshme, pasi aktualisht qytetarët paguajnë 9.5 lekë për kilovat ose 9500 lekë një megavat, ndërkohë që në bursë 1 megavat kushton 10 fish më shumë.
Situata eergjetike në vend nuk duket aspak optimiste. Niveli i Fierzës ka rënë me 10 metër në një muaj, pasi KESH ka prodhuar në kaskadë për të shmangur importin me çmime të larta.
Sakaq, INSTAT raporton se prodhimi vendas i energjisë u ul me 38,1 % në tremujorin e dytë të vitit, vetëm 1.647 gigavat nga 2.660 gigavat energji të prodhuar në tremujorin e dytë të vitit 2021./Burimi; Shqiptarja.com