Ministria e Tregtise njofton cmimet e reja te karburanteve ne Kosove
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka caktuar çmimet tavan për shitjen e derivateve të naftës për ditën e enjte.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i lejuar i naftës është 1.79 euro për litër, i benzinës me 1.44 euro dhe i gazit me 0.76 euro. Këto çmime vlejnë nga ora 10:00 e së enjte dhe janë të vlefshme për 24 orë. Kësisoj, MINT do të caktojë çdo ditë çmimet tavan për shitjen e derivateve.
Çmimi i naftës në Kosovës në javët e fundit ka shënuar vlera rekorde, për t’u rritur dita-ditës. Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, kishte marrë të njëjtin vendim.
Naftëtarët në Kosovë më 9 qershor, i kishin kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) për shitje me shumicë të jetë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12%.
Edhe në muajin mars, ishte marrë vendimi që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4% të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6%./Burimi: Telegrafi