Secondary Adv

Mesuesit ne greve, ne Kosove nuk fillon mesimi me 1 shtator

1 shtatori edhe sivjet i ka gjetur mësimdhënësit në Kosovë në greva, kurse nxënësit jashtë bankave shkollore.

 

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se nuk do të mbahet mësimi për shkak të grevës. Për shkak të mos fillimit të mësimit, 320 mijë nxënësve u mohohet e drejta për arsim.

 

Në ditën kur do të duhej të nisë viti shkollor dhe nxënësit të jenë në shkolla është krijuar paqartësi. Shumë shkolla sot nëpër qytetet e Kosovës nuk janë hapur fare. Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të nis procesi mësimor dhe fëmijët të dërgohen në shkolla.

 

Ministria e Arsimit në një deklaratë për media, të mërkurën theksoi se më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës.

 

MASHTI thekson më tej se përkundur faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja, së cilës i është bashkëngjitur edhe SBASHK-u.

 

Më tej në komunikatë thuhet se “duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar”.

 

Fillimin e vitit të ri shkollor e ka kërkuar edhe Kryesia e Këshillit të Prindërve të Kosovës. Ky Këshill e ka cilësuar të papranueshme që më 1 shtator nxënësit të jenë në shtëpi, duke qenë se kjo është edhe një ditë feste.

 

Ndonëse e ka quajtur të papranueshme që më 1 shtator fëmijët të jenë në shtëpi, Këshilli i Prindërve ka thënë se Qeveria është e obliguar ta mbrojë të drejtën për edukim dhe arsimim.

 

Kryetari i SBAShK, Rrahman Jasharaj, ka ripërsëritur se greva nuk do të ndalet derisa qeveria t’ua bëjë një zgjidhje. Gjatë vizitës së këshillit grevist të BSPK-së në shkollën “28 Nëntori”, ai tha se greva do të përfundojë dikur, por siç potencoi Jasharaj, dikush do të turpërohet.

 

Sipas tij, ata që do të turpërohen janë ministri i Financave dhe ministrja e Arsimit. Jasharaj tutje njoftoi se e kanë përgatitur dhe dorëzuar në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit Muratit, për deklaratat se grevistët s’do të marrin paga.

 

Në mesin e tyre, e drejta për arsim do t’i mohohet rreth 25,000 fëmijëve të cilët presin të ulen në bankat e shkollës për herë të parë.

 

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

 

Murati ka thënë se përditësimi i listave ka qenë i nevojshëm, sepse në bazë të informatave në terren shumë mësimdhënës nuk janë në grevë, duke kundërshtuar kështu deklarimet e SBASHK-ut se të gjithë anëtarët e saj janë në grevë.

 

Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) më 25 gusht.

 

Nga ajo ditë, në grevë janë mësimdhënës, edukatorë në kopshtet publike, shërbyes civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

 

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/greva-vazhdon-ne-kosove-nuk-fillon-mesimi-me-1-shtator/


Më të lexuarat