Secondary Adv

Masat kunder krizes, Spanja ul TVSH e gazit natyror

Spanja po merr masa drastike për të ulur taksat për shitjet e gazit natyror, në mënyrë që të reduktojë presionin e kostove të larta të energjisë për shumë familje.

 

Konkretisht, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, njoftoi sot të enjten se nga tetori TVSH-ja e gazit natyror do të bjerë në 5% nga 21% që është aktualisht, për të ulur ndikimin e rritjes së çmimit të gazit natyror.

 

“Për të ulur faturat e ngrohjes për qytetarët, qeveria kërkon të shpërndajë në mënyrë të drejtë kostot dhe tarifat e shkaktuara nga lufta në Ukrainë,” tha socialdemokrati Sanchez.

 

Qeveria spanjolle ka ulur dy herë TVSH për energjinë elektrike vitin e kaluar. Kostot e energjisë janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, pasi Rusia është një furnizues kryesor i gazit natyror në Europë për ngrohje dhe gjenerim të energjisë, raporton abcnews.al.

 

Spanja u është zotuar partnerëve të saj të Bashkimit Europian për të reduktuar konsumin e gazit natyror me 7% në vitin 2022, por përdorimi i gazit është rritur deri në fund të verës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

 

Valët e të nxehtit gjatë verës kanë shkaktuar një rritje të kërkesës për energji elektrike për shkak të përdorimit të kondicionerëve, ndërsa në të njëjtën kohë prodhimi i energjisë hidroelektrike, një burim i rëndësishëm energjie për Spanjën është ulur për shkak të mungesës së ujit./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat