Secondary Adv

Evropa zyrtarisht pa gaz, Gazprom nderpret pa afat furnizimin

Gjiganti rus i hidrokarbureve, “Gazprom” ka ndërprerë furnizimin e tij me gaz nëpërmjet tubacionit “Nord Stream1”, që lidh Rusinë me Europën.

 

Sipas një deklarate për mediat, Gazprom pretedendon se ka rrjedhje në turbinën kryesore dhe mbyllja e linjës do të vijojë për një afat të papërcaktuar.

 

Kompania shtetërore thotë se defekti u zbulua në stacionin e kompresorit Portovaya, me inspektimin e kryer së bashku me punëtorët nga Siemens, firma gjermane që ndihmon në mirëmbajtjen e tubacionit.

 

Gazprom pretendon se rregullimi i rrjedhjeve të naftës në motorët kryesorë është i mundur vetëm në magazina të specializuara, për të cilat Rusia ka thënë më parë se ishte penguar nga sanksionet perëndimore. “Importi i gazit do të mbetet i bllokuar derisa ky problem të rregullohet”, shtohet në deklaratë.

 

Ndërkohë, edhe sot si më parë Evropa ka akuzuar Rusinë se po e bën me qëllim kufizimin e eksporteve të gazit, në formë hakmarrje ndaj sanksioneve, por Vladimir Putin vazhdon të rritë presionin mbi kontinentin e vjetër në një kohë që dimri po afron.

 

Rusia është eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë pas Arabisë Saudite dhe eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror. Evropa importon rreth 40% të gazit të saj dhe 30% të naftës nga Rusia.

 

BE-ja ka thënë se Rusia i drejtohet shantazhit të energjisë, ndërsa Kremlini i qëndron deklaratës se ndërprerja është shkaktuar nga çështjet e mirëmbajtjes dhe efekti i sanksioneve perëndimore./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat