Kriza e energjise, Franca ve ne pune te gjithe reaktoret berthamore
Gjiganti francez i energjisë EDF është zotuar të rifillojë të gjithë reaktorët e tij bërthamorë deri në dimër për të ndihmuar vendin nga kriza energjetike.
Agnès Pannier-Runacher tha se qeveria po merr hapa për të shmangur masat kufizuese mbi përdorimin e energjisë në sezonin e ftohtë të dimrit, pas një takimi të posaçëm të qeverisë për çështjet e energjisë.
Franca mbështetet në energjinë bërthamore për rreth 67% të energjisë elektrike të saj – më shumë se çdo vend tjetër – dhe në gaz për rreth 7%.
Për momentin, 32 nga 56 reaktorët bërthamorë të Francës, të gjithë të operuar nga EDF, janë mbyllur për mirëmbajtjen e zakonshme dhe, në disa raste, për të riparuar problemet e korrozionit.
“Ekziston një plan që parashikon që duke filluar nga tetori, çdo javë, një central i ri bërthamor të jetë përsëri funksional”, tha Pannier-Runacher.
Të martën, kryeministrja Élisabeth Borne kishte paralajmëruar se një skenar i rastit më të keq këtë dimër mund të çojë në ndërprerje dy-orëshe të energjisë elektrike në shtëpitë franceze.
Qeveria do të monitorojë nga afër situatën e centraleve bërthamore që raportuan çështje korrozioni. EDF filloi të ndërmarrë veprime dhe ata duhet të na konfirmojnë se po përparon siç kishin planifikuar”, tha Pannier-Runacher./Burimi: abcnews.al