Secondary Adv

Qeveria e Kosoves pakete te re mbeshtetese, kategorite qe perfitojne

Qeveria e Kosovës ka prezantuar pakon e re ekonomike, me të cilën do të ndihmohen kategoritë e ndryshme.

 

Pensionistët do të mbështeten me 100 euro shtesë, zyrtarët publikë do të marrin shtesë prej 50 eurove, kurse punëtorët në ndërmarrje publike do të marrin shumën prej 100 eurove. 100 euro janë planifikuar edhe për studentët.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka prezantuar pakon e re financiare me të cilën ka thënë se Qeveria po mundohet ti ndihmojë qytetarët për të përballuar më lehtë inflacionin.

 

Ai ka njoftuar se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë për muajt e mbetur të këtij viti fiskal, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike.

 

Kurti ka treguar se përkrahje do të ketë edhe për studentët, ku do të ndahet shuma e njëhershme prej 100 euro në nëntor kur viti akademik është duke u zhvilluar.

 

“Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë. Si qeveri mbetemi të përkushtuar për tu dalë në krah qytetarëve sa herë kjo është e nevojshme.

 

Në linjë me këtë synim tonin sot po prezantojmë një pako të re që ka për synim mbështetjen e qytetarëve për tu përballur me krizën inflacionare”. Tutje, ai shtoi se përmes pakos për përballjen me inflacion do të ndahen rreth 150 milionë euro.

 

“Në muajt në vijim do të ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për përballjen me inflacion, ku përmes masës së subvencionimit të atyre që kursejnë energji, do të përfitojnë të gjitha familjet, rreth 300 mijë, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë”.

 

Sipas tij, nisur nga gjendja e rënduar me energjinë më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursehet. Nga shtatori po ashtu pritet të subvencionohet energjia elektrike për të gjithë ata që kursejnë.

 

Do të subvencionohet për muajt në të cilët qytetarët do të shpenzojnë më pak në raport me muajt e njëjtë të vitit të shkuar. Në masën e subvencionimit të kursimit të energjisë do të përfitojnë rreth 300 mijë familje, ndërsa nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë.

 

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka marrë një shembull. “Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë vitin e shkuar në shtator dhe sivjet 900 kilovatë në shtator, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 10 për qind.

 

Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë Murati. Punëtorët e sektorit publik tashmë janë në grevë qe një javë.

 

Ata kanë kërkuar nga 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave. Ministri Murati ka kritikuar nivelin komunal që s’ka dorëzuar listat e pagave për punëtorët në fund të muajit, pasi një pjesë e tyre u fut në grevë.

 

Ai ka thënë se “për shkak të situatës së rënduar ekonomike” mund të procedohet me pagat e ndaluara, por ka paralajmëruar përballje me ligjin, të atyre që kanë ndaluar dorëzimin e listave së punëtorëve.

 

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), më 25 gusht kanë hyrë në grevë me kërkesën për ndarjen e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/qeveria-e-kosoves-me-pako-te-re-100-euro-pensionisteve-e-studenteve-50-punetoreve-te-sektorit-publik/


Më të lexuarat