Secondary Adv

60 per qind e kredive te ekspozuara ndaj rritjes se normave te interesit

Rritja e shpejtë e yield-eve të Bonove të Thesarit gjatë vitit do reflektohet gradualisht edhe në interesat e kredive me interes të ndryshueshëm në monedhën vendase.

 

Interesi i ndryshueshëm konsiston në përdorimin e një indeksi referues si pjesë e normës totale të interesit, duke shtuar sipër këtij indeksi një marzh fiks. Në rastin e Lekut, indeksi referues janë zakonisht Bonot e Thesarit, në shumicën e rasteve ato me maturim 12 mujor.

 

Kjo formulë përdoret në mënyrë që banka të mos jetë e ekspozuar në humbje nga lëvizjet e normave të interesit në tregje. E njëjta teknikë përdoret edhe për kreditë në Euro, ku indeksi referues zakonisht është Euribori.

 

Norma e interesit të kredisë përditësohet me një frekuencë të përcaktuar në kontratë për të reflektuar ndryshimet në ecurinë e indeksit referues. Shpeshtësia e rishikimit të normës së interesit është të paktën njëherë në vit.

 

Shumica e kredive bankare jepen me një normë interesi të ndryshueshme, sidomos kur bëhet afate të gjata maturimi. Përjashtim bëjnë kreditë konsumatore afatshkurtra dhe afatmesme, por në shumë raste edhe vitet e para të kredive hipotekare afatgjata.

 

Por, në rast se një kredi ka një afat maturimi mbi pesë vjet, pothuajse gjithmonë norma e interesit është e ndryshueshme. Në vitet e fundit, vërehet një rritje e ndjeshme e peshës së kredisë afatgjatë për ekonominë.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në mesin e këtij viti pesha e kredisë afatgjatë ndaj portofolit të kredisë për ekonominë ishte 59.6%. Kjo shifër është pak më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por në afatin e gjatë rritja është e dukshme.

 

Në vitin 2015, kredia afatgjatë, me maturim mbi pesë vjet, përbënte rreth 48.5% të portofolit total. Kjo tregon se në harkun e shtatë viteve të fundit, pesha e kredisë afatgjatë është rritur me mbi 11 pikë përqindje.

 

Rritja e peshës së kredisë afatgjatë lidhet shumë me një zhvendosje të huadhënies në vitet e fundit sidomos drejt investimeve në pasuri të paluajtshme.

 

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se huaja për pasuri të paluajtshme përbën produktin kryesor të kredisë, tashmë jo vetëm për individët, por edhe për bizneset.

 

Ky fakt, mes të tjerash, i ekspozon ndjeshëm edhe pjesën më të madhe të huamarrësve ekzistues të sektorit ndaj rritjes së shpejtë të normave të interesit dhe të yield-eve të instrumentit të borxhit të qeverisë.

 

Në fakt, pesha e kredisë së ekspozuar ndaj ndryshimit të normave të interesit është edhe më e lartë, sepse përfshin edhe një pjesë të mirë të kredisë afatmesme, sidomos në segmentin e bizneseve.

 

Krahasuar me një vit më parë, yield-i mesatar i ponderuar i Bonove 12-mujore, është rritur me dy pikë përqindje. Një huamarrës që ka një kredi të përbërë nga interesi i Bonove dhe që ka një rishikim të normës së interesit këtë vit paguan një interes vjetor 2% më të lartë.

 

Banka e Shqipërisë ka dhënë sinjale të qarta se norma bazë do të vazhdojë rritjen edhe në pjesën e mbëtur të këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm. Kjo pritet të sjellë rritje të mëtejshme të kostos së huamarrjes, si për sektorin publik, ashtu edhe për atë privat.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/te-pakten-60-e-kredise-eshte-e-ekspozuar-ndaj-rritjes-se-normave-te-interesit/


Më të lexuarat