Shqiperia nderpret marredheniet diplomatike me Iranin
Kryeministri Rama ka bënë me dije se ka prova të pakundërshtueshme se Irani ka financuar sulmin kibernetik ndaj shërbimeve online.
Kreu i qeverisë në një videomesazh nga Kryeministria tha se pas hetimeve të bëra në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar, është arritur në përfundimin se Irani ka angazhuar 4 grupe për sulmin kibernetik, ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar.
“Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi,
se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror.
Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë.
Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, tha Rama.
Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, që duhet të largohen nga vendi ynë brenda 24 orëve të fundit, teksa për këtë masë ekstreme, siç e ka quajtur Rama, janë vënë në dijeni edhe aleatët strategjikë, vendet partnere të NATO dhe disa vende të tjera mike të Shqipërisë.
Sa i përket sulmit kibernetik, kryeministri tha se dëmet janë të vogla, ndërsa sistemet u rivunë në punë dhe nuk u zhduk asnjë e dhënë.
"Lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t'i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur.’- tha Rama.
Shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht në korrik për shkak të një sulmi kibernetik të sinkronizuar dhe të sofistikuar nga jashtë Shqipërisë. Sulmi ishte kompleks dhe në shkallë të gjerë.
Menjëherë, duke ndjekur protokollet e reagimit, u krye izolimi i infrastrukturave dhe sistemeve qeveritare për të garantuar mbrojtjen e të dhënave. Pas sulmit kibernetik.
Qeveria shqiptare garantoi qytetarët shqiptare se reagimi ka qenë i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura dhe janë të sigurta.
Metodat mbi të cilat sulmi është kryer ishte i ngjashëm me një sërë sulmesh kibernetike në domain-et qeveritare dhe private të kohëve të fundit, si në Ukrainë, Gjermani, Lituani, Maltë, Holandë, Belgjikë dhe vende të tjera të rajonit./Burimi: Shqiptarja.com