Secondary Adv

Shkollat ne Kosove vijojne te mbyllura, Qeveria ben thirrje te ndalet greva

Nuk ka ende asnjë datë se kur mund të nisë viti i ri shkollor në institucionet publike të Kosovës.

 

Punonjësit e arsimit, ashtu si edhe shërbyesit civilë, janë në grevë, me kërkesën për rritje pagash, përkatësisht për 100 euro shtesë. Greva në arsim po vazhdon që nga 25 gushti.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë bërë thirrje që të fillojë mësimi nëpër shkolla.

 

Kurti e Nagavci në fshatin Llugë në Podujevë në përcjellje të kryetarit të komunës, Shpejtim Bulliqi, kanë inauguruar gurëthemelin e shkollës së re “Ilir Kunushevci” në këtë fshat.

 

“Kemi nevojë për më shumë mësim, shkolla, për më shumë mësimdhënësie e mësimnxënie. Nga situata aktuale duhet të dilet vetëm duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar në shkolla mësimdhënësit e po ashtu nxënësit.

 

Meqenëse nuk zhvillohet vendi pa arsim, ekonomia nuk zhvillohet pa mësim e edukim. Kemi ndëmarrë si asnjë Qeveri më herët, masa të ndryshme për përmirësimin e pozitës sociale të gjithë qytetarëve, përfshirë mësimdhënësit”, ka thënë Kurti.

 

Ai shtoi se si Qeveri bëjnë gjithçka që është e mundur në përputhje me buxhetin e shtetit, ku theksoi se për dallim nga qeveritë e kaluara kësaj here buxheti nuk cenohet nga korrupsioni.

 

E ministrja Nagavci po ashtu ka thënë se duhet filluar viti shkollor. “Edhe nga këtu, si në çdo paraqitje time, i bëjë thirrje mësimdhënësve të jenë pranë nxënësve e bashkë me nxënësit.

 

Të mos humbet më asnjë orë mësimi, pasi dëmet e shkaktuara janë të mëdha”, ka thënë Nagavci. Greva e punonjësve të arsimit dhe shërbyesve civilë ka nisur më 25 gusht, por që nga ajo kohë nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga ana e këtij këshilli si tërësi.

 

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili është pjesë e këtij këshilli, ka thënë se zgjidhja e grevës arrihet vetëm përmes dialogut social. Nënkryetari i Këshillit Grevist, Ali Gashi, ka treguar se greva do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve.

 

“BSPK-ja është jashtëzakonisht e interesuar që të negociojë me zyrtarët e Qeverisë. Prandaj, i bëjmë apel ekzekutivit që të reflektojë që të gjendet një zgjidhje për të dyja palët ”.

 

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

 

Rreth 8.3 milionë euro në muaj do t’i kushtonte buxhetit të Kosovës kërkesa e grevistëve – 100 euro në muaj për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, deri në miratimin e Projektligjit për paga.

 

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83.000. Nga 100 euro në muaj, buxhetit të Kosovës i kushton rreth 8.3 milionë euro

 

Paga mesatare bruto në sektorin publik në Kosovë është rreth 480 euro. Qeveria e Kosovës ka njoftuar më 3 shtator se do t’i mbështesë punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro në muaj deri në fund të vitit, për shkak të krizës me rritjen e çmimeve.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/shkollat-ne-kosove-ende-te-mbyllura-qeveria-ben-thirrje-te-ndalet-greva/


Më të lexuarat