Secondary Adv

Bie raporti i kredive me probleme, zbret ne 5.27 per qind ne Korrik

Raporti i kredive me probleme pësoi sërish një rënie të lehtë në muajin korrik.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues zbriti në 5.27%, nga 5.32% që kishte qenë në qershor. Edhe me bazë vjetore treguesi i kredive me probleme vijon të shfaqë një tendencë rënëse, nga niveli 7.05% ku qëndronte në korrik të vitit të kaluar.

 

Megjithatë, gjatë këtij viti dhe sidomos pas tremujorit të parë, rënia e kredive me probleme paraqitet shumë e ngadaltë, madje në periudhën prill-maj pati shënuar edhe një rritje të lehtë.

 

Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë, kjo rritje erdhi kryesisht nga ndërprerja e pagesave të kredive të marra nga kompanitë e ndërtimit të inceneratorëve. Megjithatë, edhe në vazhdim, rënia e raportit të kredive me probleme është shfaqur e ngadaltë.

 

Raporti i kredive me probleme është ende lehtësisht supër nivelit prej 5.24%, të shuar në muajin mars të këtij viti dhe që përfaqëson pikën më të ulët të këtij treguesi qysh prej vitit 2009.

 

Banka e Shqipërisë në deklaratën e fundit të stabilitetit financiar evidentoi se në muajt e fundit është vërejtur një ngadalësim i rritjes së kredisë, ashtu si edhe i depozitave.

 

Rritja më e ngadaltë e kredisë mund të ketë një efekt frenues në uljen e raportit të kredive me probleme. Ekonomia po përballet me inflacionin më të lartë që nga periudha e rënies së piramidave dhe nga trazirat që vijuan, në periudhën 1997-1998.

 

Sipas Instat, për muajin gusht norma vjetore e inflacionit arriti në 8%. Megjithëse efektet e deritanishme në ecurinë e sektorit bankar duken të kufizuara, atom und të fillojnë të shtrihen gradualisht, si në ritmet e kredidhënies së re, ashtu edhe në cilësinë e portofolit të kredisë.

 

Inflacioni i lartë nga një anë dhe rritja e shpejtë e normave të interesit nga ana tjetër po ulin aftësinë paguese të subjekteve huamarrëse dhe në veçanti të familjeve.

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nënvizoi në mbledhjen e ditës së mërkurë se veçanërisht kriza e çmimeve të energjisë që ka përfshirë Europën mund të shtrojë rreziqe të konsiderueshme për rritjen ekonomike edhe në Shqipëri.

 

Kjo mund të shoqërohet me përkeqësim të aftësisë paguese dhe me rritje të treguesit të kredive me probleme.

 

Pas vitit 2016, sektori bankar ka arritur rezultate domethënëse në uljen e raportit të kredive me probleme, ku efektin kryesor e dha nxjerrja jashtë bilanceve e kredive të humbura.

 

Në vitet e fundit, ky raport është ndikuar pozitivisht edhe nga rritja e shpejtë e kreditimit dhe zmadhimi i vlerës totale të portofolit të kredisë. Por, kriza e radhës e lidhur me rritjen e çmimeve shtron sërish sfida dhe pasiguri për sektorin bankar.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/raporti-i-kredive-probleme-shenon-tjeter-renie-te-lehte-zbret-ne-5-27/


Më të lexuarat