Taksat e reja vendore te Bashkise se Tiranes per ndertimet e ndryshme
Çdo qytetar i cili kërkon të kryejë punime në shtëpinë e tij, duhet të paguajë një tarifë të vlerës së investimit.Tarifa do të paguhet për të gjitha aplikimet për leje zhvillimi, infrastrukture dhe ndërtimi.
“Tarifa llogaritet në bazë të sipërfaqes së punimeve sipas preventivave përkatës për këto sipërfaqe. Në rastin e ndërtimeve për qëllime banimi apo njësi shërbimi nga shoqëritë e ndërtimit, të cilat nuk destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, industrisë apo përdorim publik, taksa e ndikimit në infrastrukturë është në masën 8% të çmimit të shitjes për metër katror.
Në rastin e ndërtimeve të ndryshme, niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe për Bashkinë e Tiranës është 2-4% e saj. Për projektet e infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, aeroporteve, tuneleve, digave, ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshirë makineritë dhe pajisjet për këto projekte, taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja është 0,1 për qind e vlerës së investimit, por jo më pak se kostoja e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kur kjo kosto nuk është përfshirë në preventivin e investimit.
Për ndërtesat, të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0,5 për qind e vlerës së investimit.
Niveli i tarifës depozitohet për llogari të financimit të instrumenteve vendorë të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit në Bashkinë e Tiranës”. Tarifa duhet të paguhet brenda 5 ditëve nga data e aplikimit dhe lëshimit të autorizimit të pagesës nga Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit. “Subjektit nuk i miratohet vendimi për lejen përkatëse, nëse nuk paraqet vërtetimin e kryerjes së pagesës brenda afatit të sipërpërmedur”, ky është një nga detyrimet që ka përcaktuar Bashkia. Ndërkohë në rastet kur nuk miratohet leja e ndërtimit, çdo aplikuesi do t’i kthehet pagesa që ka kryer. Nga kjo tarifë do të përjashtohet institucioni i Bashkisë së Tiranës, në rastet kur do të kryejë punime për objekte publike.