Importet shume te shtrenjta, 18 dite energji i kushtojne buxhetit 50.7 mln euro
As prodhimi vendas nuk e ka shpëtuar KESH nga fatura e kripur e importit të energjisë elektrike.
Vetëm për 18 ditë të këtij muaji fatura e energjisë së blerë ka arritur në 50.7 milionë euro. Importet e larta nuk janë shmangur pavarësisht se prej fillimit të muajit gusht KESH vendosi të prodhojë në kaskadën e Drinit, duke bërë që niveli i Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës të bjerë.
Nga data 1 gusht deri më tani niveli i liqenit të Fierzës ka rënë me mbi 14 metra, duke zbritur në 267.1 metra në total. Ndërsa rezerva energjetike thuajse është përgjysmuar krahasuar me muajin e kaluar, kur ishte 812 gigavat, dhe tani ka zbritur në 431 gigavat.
Në mungesë të reshjeve dhe prodhimit të mjaftueshëm për të furnizuar konsumatorët me energji, KESH ka importuar përgjatë këtij viti më shumë 300 milionë euro energji elektrike, ku 56% e kësaj vlere është shpenzuar vetëm për muajit korrik, gusht e shtator.
Konkretisht në muajin korrik janë importuar 61,2 milionë euro, në gusht 57,7 milionë euro dhe deri tani për shtatorin vlera e importit është 50.7 milionë euro. Për të përballuar krizën energjetike dhe çmimet e larta në bursë qeveria ka prezantuar edhe paketën e kursimit.
Prej 1 tetorit familjet që konsumojnë më shumë se 800 kilovat (ose që paguajnë mbi 9,120 lekë në muaj me TVSH për faturën e energjisë) do të paguajnë më shumë. Çdo kilovat i shpenzuar mbi këtë fashë do të faturohet nga shteti me 42 lekë dhe jo me 9.5 lekë si tani.
Kriza e energjisë konsiderohet si betejë e fortë e muajve të ardhshëm, e cila përveç se do të sfidojë buxhetet e shteteve është edhe sfidë e fortë për ecurinë ekonomike.