Secondary Adv

Turistet shpenzuan 1.1 mld euro ne 6 muaj, ja kush sollen me shume te ardhura

Në 6 muaj të huajt shpenzuan në Shqipëri 1.1 miliard Euro ose 444 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

 

Banka e Shqipërisë thotë se në tremujorin e dytë të vitit të ardhurat nga shërbimet u rritën si pasojë e aktiviteteve kulturore e sportive që u zhvilluan në vend. Ngjarjet kulturore dhe sportive gjatë muajve prill, maj dhe qershor, që sollën me mijëra vizitorë rritën ndjeshëm edhe të ardhurat.

 

Shpenzimet turistike për këtë periudhë u rritën me 275 milionë euro, dhe në total të huajt sollën në vend 722 milionë euro nga 447 milionë euro që ishte në të njëjtin tremujor vjet.

 

“Rritja e nivelit të shpenzimeve ditore është diktuar dhe nga dinamika e eventeve sportive dhe kulturore gjatë këtij tremujori, që kanë tërhequr më shumë vizitorë nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Holanda”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

 

Eventi ndërkombëtar Konferencë Liga, me ndeshjen Romë- Feyenoord, në Tiranë, përpos faktit që solli me mijëra tifozë të skuadrave në vend, nxiti edhe pronarët e hoteleve të disa fishonin çmimet e dhomave, ndërsa lokalet e restorantet shtrenjtuan pijet.

 

Po ashtu zhvillimi i disa aktiviteteve në kuadër të javëve të kulturës për shumë shtete, afruan më shumë vizitorë në vend e për pasojë më shumë shpenzime, që për buxhetin e shtetin përkthehen në të ardhura shtesë.

 

Ndërkohë në 6 muaj të huajt shpenzuan në Shqipëri për arsye turistike mbi 1.1 miliardë euro, duke u rritur me 444 milionë euro në raport me vitin e kaluar. Impakt në këtë përmirësim ka dhënë edhe lehtësimi i masave shtrënguese për COVID-19.

 

Heqja e kufizimeve, ka hapur dyert edhe për shqiptarët, të cilët shpenzuan jashtë vendit për pushime 794 milionë euro, ose 395 milionë euro më shumë sesa në gjashtëmujorin e vitit të kaluar.

 

TË ARDHURAT NGA TË HUAJT 

Janar-Qershor 2021          687 mln euro

 

Janar-Qershor 2022         1.131 mln euro

Diferenca                        +444 mln euro

 

SHPENZIMET JASHTË VENDIT

Janar-Qershor 2021          399 mln euro

 

Janar-Qershor 2022          794 mln euro

Diferenca                    +395 mln euro

 

SHPENZIMET PRILL-QERSHOR 

Prill-Qershor 2021       447 mln euro

 

Prill-Qershor 2022        722 mln euro

Diferenca                  +275 mln euro./Burimi; Shqiptarja.com


Më të lexuarat