Secondary Adv

Greva ne Kosove ne diten e 20, ende asnje marreveshje me qeverine

Greva në arsim ka hyrë në ditën e 20, teksa sot është mbajtur edhe takimi i shumëpritur mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të SBASHK.

 

Edhe ky takim nuk solli rezultate dhe greva vazhdon. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me Këshillin Grevist, ka deklaruar se i është kërkuar që të lëvizë për të përmbushur kërkesat e grevistëve, por sipas tij, ai një gjë të tillë e ka bërë me dhjetëra herë duke ndihmuar qytetarët.

 

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se nuk janë të vërteta deklarimet e grevistëve se nuk ka pasur komunikim e dialog social. “Më kanë thënë kryeministër lëviz, por unë kam lëvizur të paktën 10 herë.

 

Ndaj, kërkoj që fëmijët të kthehen në shkolla. Nuk është e vërtet që s’ka pasur komunikim e dialog. Problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut.

 

Në takim disa herë më tha që le të dalim nga kjo situatë, unë besoj që në situatë të vështirë nuk është SBASHK-u e as Qeveria por arsimi”, është shprehur kryeministri.

 

Ai mes tjerash ka bërë të ditur se konsultimet paraprake kanë përfunduar dhe se Projektligji për Pagat këtë javë do të dalë në diskutim publik. Kurti tha se këshillit grevist ua ka thënë tri gjëra për të cilat ata u zotuan se do ta pyesin anëtarësinë.

 

“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve të këshillit grevist për të cilën ata na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Neve na u tha në takim se do ta pyesin anëtarësinë, porsa dolën nga takimi thanë se greva do të vazhdojë, kur e pyetën anëtarësinë.

 

Oferta shtesë ishte kjo, do të jenë pjesë përmbajtësore për Ligjin për Pagat. Atyre ua dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik për ligjin e Pagave”, tha Kurti.

 

Kurse, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, pas takimit të Këshillit Grevist të BSPK me kryeministrin Albin Kurti, tha se bisedimet kanë qenë përmbajtjesore, por nuk është arritur marrëveshje për ndërprerjen e grevës.

 

Në një deklarim për media, Jasharaj bëri të ditur se në këtë takim kanë paraqitur kërkesat e grevistëve, të cilat tha se janë legjitime, ndërsa në anën tjetër krerët e Qeverisë kanë folur për angazhimet e tyre për t’i plotësuar ato kërkesa.

 

“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur. Takimi ishte i gjatë, të dy palët i dhanë idetë e tyre. Ne ia rikujtuam kryeministrit Kurti kërkesat tona legjitime. Ata na treguan prapë për angazhimet që i kanë bërë.

 

Takimi ishte përmbajtjesor, por për momentin asgjë s’kemi ndryshime. Temë e nxehtë ishte edhe pakoja e fundit e Qeverisë. Ne insistuam që shtesa prej 50 eurosh e cila nuk është pranuar nga asnjë grevist në Kosovë të lëvizë.

 

Ishim të gatshëm të bëjmë një kompromis të vogël, por Qeveria mbeti te ajo shuma e proklamuar me pakon”. Jasharaj tutje tha se shpreson që dialogu social mes grevistëve dhe Qeverisë të vazhdojë e kryeministri të mos ua mbyll dyert.

 

“Lajm i mirë është që dialogu tashmë ka filluar. Por, situatën e kemi të njëjtë sepse 50 eurot e Qeverisë nuk janë pranuar nga grevistët”.

 

Institucionet e sindikatave të arsimit bën të ditur se do të qëndrojnë në kërkesën prej 100 eurove për të gjithë punëtorët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga, pasi sipas tyre kjo është kërkesë e gjithë anëtarësisë – pasi të njëjtit nuk janë pajtuar me 50 eurot e pakos së re nga Qeveria, që parashihet për 4 muaj.

 

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, deklaroi se gjendja aktuale më shumë është shantazh dhe se përball shantazhit nuk ka rrugë tjetër përveçse të qëndrojnë për vlerat anti-shantazh.

 

Gjatë gjithë këtyre ditëve të grevës ekspertët e SBAShK kanë deklaruar se nuk ka zëvendësim të orëve të humbura, për këtë çështje në krahë ju doli edhe Këshilli i Prindërve që kanë thënë se do të bojkotojnë zëvendësimin e orëve të humbura pas përfundimit të Grevës.

 

Por, gjatë ditës së djeshme për grevën në arsim u mblodhën edhe pensionistët e Kosovës, ata kërkuan që nipat dhe mbesat e tyre sa më shpejt të kthehen në mësim dhe greva duhet të përfundojë.

 

Ata, mes tjerash, grevat i konsideruan me prapavijë politike teksa bën thirrje që dialogu mes Qeverisë dhe SBAShK-ut duhet të vazhdojë. Sipas tyre nuk është e pranueshme që fëmijët të përdoren si mjet shantazhi.

 

Në grevë nga 25 gushti janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshte publike, punëtorë të administratës publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

 

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

 

Më 3 shtator, Qeveria ka prezantuar një pako për përballje me inflacionin. Në kuadër të saj, punëtorët e sektorit publik do të marrin nga 50 euro prej muajit shtator.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/20-dite-ne-lufte-per-100-euro-qeveria-e-sindikatat-smerren-vesh-greva-vazhdon/


Më të lexuarat