QKB bizneseve: Deklaroni pronaret perfitues, ose ju pezullojme aktivitetin
QKB ka publikuar një njoftim kujtese për bizneset, që të deklarojnë pronarët përfitues, përndryshe do ndryshojnë statusin për subjektet raportuese.
“Ju sjellim në vëmendje detyrimin tuaj ligjor për regjistrimin fillestar të të dhënave të pronarëve përfitues dhe perditësimin e tyre sa herë që ndodhin ndryshime në të dhënat e regjistruara.
Mospërmbushja e këtij detyrimi në përputhje me nenin 5 të Ligjit Nr. 112/2020 “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, i ndryshuar, sjell aplikimin ndaj jush të penaliteteve si më poshtë vijon:
– Gjobë për mosregjistrim fillestar të të dhenave të pronarëve përfitues brënda afatit të përcaktuar në gërmat b) dhe c) të pikës 3 të nenit 5 të aktit të sipërcituar.
– Gjobë për mosregjistrim të çdo ndryshimi në të dhenat e regjistruara që depozitohen në regjistër brënda afatit të përcaktuar në gërmën ç) të pikës 3 të nenit 5 të aktit të sipërcituar.
QKB-ja dhe autoriteti përgjegjës për mbajtjen e Regjistrit të Organizatave Jofitimprurëse për subjektet raportuese, nuk do të ofrojnë shërbimet ndaj jush, përveç regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të përfaqësuesit ligjor,
si dhe do të ndryshojnë statusin për subjektet raportuese nga status “aktiv” në statusin “të pezulluar” në Regjistrin Tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse deri në pagimin e gjobës dhe regjistrimin e të dhënave përkatëse për pronarët përfitues”, thuhet në njoftim.
Ligji “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, parashikon që të gjitha subjektet raportuese të regjistruara në Republikën e Shqipërisë kanë detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues.
Afati fillestar ishte data 30.6.2021, por që më pas u shty deri më 30 qershor të këtij viti për shkak të problemeve që u hasën me zbatimin e tij.
Sipas ligjit, mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë.
Në fillim të shtatorit, QKB pezulloi aktivitetin e shoqërisë së fluturimeve “Air Albania”, pasi kjo e fundit nuk kishte deklaruar pronarët përfitues. Statusi i kompanisë u bë më pas aktiv, pasi Air Albania, 10% e të cilës është në pronësi shtetërore bëri deklarimin përkatës.