Kriza e energjise, Kosova prezanton planin e masave per kursimin
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për kursimin energjisë elektrike.
Këto masa vlejnë vetëm për sektorin publik teksa ministrja Artane Rizvanolli ka paralajmëruar se së shpejti do të ketë masa edhe për sektorin privat. “Masat në institucionet publike, ndërmarrje. Në kemi shpallur masat emergjente të kufizimit me energji.
Kemi themeluar komitetin emergjent për adresimin e krizës. Ky komitet ka ofruar, rekomanduar masa emergjente për sektorin publik, e që do të vazhdojnë më pas edhe në sektorin privat”, tha ministrja.
Këto janë masat që i ka prezantuar ministrja Rizvanolli:
Të zëvendësohen llambat standard me llamba led në të gjitha institucionet. Të ndalohet ngrohja në zyrë apo në vendet ku ka prezencë fizike si dhe në të gjithë korridoret.
Të ndalohet ngrohja e ujit në të gjithë institucionet publike, apo përdorimi i bolierëve përveç në institucione si spitale apo entitete tjera.
Të ndalen pajisjet elektrike, përfshirë ato të teknologjisë informative dhe të tjera.
Të ndalohet përdorimi i klimave, apo kondicionerëve, përveç rasteve kur nuk ka alternativa tjera për ngrohje.
Ndalohet përdorimi i ngrohësve unik, ngrohësve me energji elektrike.
Të mos përdoret ndriçim në zyra të brendshme dhe hapësira tjera gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme natyrore.
Të ndalet çdo billboard apo reklamë që shfrytëzon energji elektrike. Të ndalet ndriçimi dekorativ në të gjithë objektet.
Aty ku është e mundshme, të instalohen sisteme inteligjente për menaxhimin e konsumit të energjisë.
Objektet që ngrohen përmes ngrohjes qendrore, të funksionalizojnë potencialin e ngrohjes maksimalisht në dimër duke marrë hapat e mirëmbajtjes dhe pastrimit.
Të bëhet sanimi i rrjedhjeve të ujit në mënyrë që të bëhet kursimi i energjisë elektrike, duke qenë se pompat e ujit shpenzojnë energji elektrike.
Të caktohet një person përgjegjës për kursim të energjisë.
Ky do të ketë përgjegjësi që të ndalë të gjitha dritat pas orës 16:00. Të sigurohet që temperatura për ngrohjen të mos jetë më shumë se 19 gradë.
Të ndalohet gjithë ndriçimi publik gjatë ditës.
Të ndalet çdo e treta llambë në autostradë apo rrugë regjionale, për aq sa nuk bën rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe komunikacionit. Të ndalet ndriçimi publik i lapidarëve dhe muzeve./Burimi: Balkanweb