Secondary Adv

Plani i menaxhimit 30 mln euro, si u projektua dhenia e Pallatit te Brigadave me PPP

Në korrik 2021, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare i dërgoi një letër Ministrisë së Kulturës, ku ankohej për lagështirën në kompleksin e Pallatit Presidencial.

 

“Në të gjitha ambientet janë evidentuar problematika serioze që lidhen me lagështinë. Amortizimi i rrjetit elektrik dhe i sistemeve mekanike është një tjetër problem kompleks i objektit”, thuhet në letrën e firmosur nga drejtoresha e Shërbimeve Qeveritare, Dhurata Frashëri.

 

Frashëri i kërkoi gjithashtu Ministrisë që ta vërë në dijeni mbi “projekte të mundshme të restaurimit” apo procedurën që duhej të ndiqte Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për të filluar “procesin e ndërhyrjeve”.

 

Por ndonëse ndërhyrjet nuk u kryen përgjatë një viti, letra e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare shërbeu si katalizator për përgatitjen e një plani të ri menaxhimi, që i hap rrugën qeverisë shqiptare për dhënien e Pallatit Presidencial me koncesion.

 

Pallati Presidencial, i njohur edhe si Pallati i Brigadave, u projektua nga arkitekti italian Gulio Berte dhe më pas u përfundua nga Gherardo Bosio në vitet 1939- 1941. Godina ishte e destinuar për familjen e mbretit Zog, por përfundoi në vitin 1941; thuajse dy vjet pas largimit të tij nga Shqipëria.

 

Kompleksi mori emrin “Pallati i Brigadave” gjatë regjimit komunist, ndërsa prej vitit 1992 njihet si Pallati Presidencial dhe shërben për pritjet zyrtare. Ai gëzon statusin e mbrojtjes si “Ansambël Historik”.

 

BIRN e siguroi planin e integruar të menaxhimit të Pallatit Presidencial dhe korrespondencën mes institucioneve përmes një kërkese për të drejtë informimi.

 

Dokumentet tregojnë se pas letrës së Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Ministria e Kulturës i kërkoi Universitetit Politeknik të Tiranës hartimin e një plani të integruar menaxhimi.

 

Një grup teknik i përbërë nga arkitektë, skulptorë dhe biologë pranë Universitetit Politeknik e përfundoi planin e integruar të menaxhimit të Pallatit Presidencial brenda tre muajsh me kosto të llogaritur në 3.6 miliardë lekë ose 30 milionë euro.

 

Përveç rehabilitimit të godinave ekzistuese dhe parqeve, plani i ri parashikon ndërtimin e një parkingu për vizitorët, një restoranti, kthimin e njërës prej godinave ekzistuese në hotel akomodues për delegacionet e huaja si dhe ndërtimin e ambienteve çlodhëse për vizitorët.

 

Plani parashikon gjithashtu laboratorë restaurimi dhe kurimin e bimëve të rralla. Sipas grupit teknik hartues, modeli i partneritetit privat në këtë rast do të ishte më efikas krahasuar me format e menaxhimit me fondacione të posaçme, që u përdor në rastin e Parkut Kombëtar të Butrintit, apo struktura menaxhimi shtet-privat.

 

“Me një periudhë maksimale të partneritetit të parashikuar në ligj (Neni 186, Pika 5) prej 20 vitesh, pala e interesuar për partneritet, duhet të ketë financimin e duhur për të mundësuar rijetëzimin.

 

Gjithashtu duhet të ketë përvojën e duhur për menaxhimin e trashëgimisë kulturore, të parashikojë kufizimet e mundshme në nxjerrjen e të ardhurave, të cilat mund të mos sjellin fitime për të”, thuhet në dokument.

 

Sipas planit të menaxhimit, përfitimet e koncensionarit do të jenë shërbimi i hotelerisë, shitja e biletave për turizëm apo ngritja e qendrave studimore brenda ansamblit.

 

Ndërsa shteti pritet gjithashtu të ketë një rol mbikëqyrës të përdorimit të ansamblit me ngritjen e një bordi, “i cili kontrollon dhe garanton ruajtjen e vlerave të monumentit si dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara si për ato shtetërore edhe për vizitorët”.

 

Kthimi i kësaj zone në pikë turistike nuk do t’i heqë karakterin protokollar dhe do të vijojë të jetë vend ekskluziv për ceremonitë shtetërore dhe i ruajtur nga Garda e Republikës.

 

Në qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi planin e integruar të menaxhimit për Pallatin e Brigadave, por projekti kundërshtohet nga deputetë të opozitës dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore./Burimi: Birn/Reporter.al/Balkanweb


Më të lexuarat