Secondary Adv

Cmimet e apartamenteve u rriten deri ne 40 per qind brenda 1 viti

Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur nga 200 deri në 700 euro më shumë se në vitin 2021.

 

Çmimi i apartamenteve në zonën e ish- Bllokut dhe kullave arrin në 5,000 euro/m². Shoqata e Ndërtuesve thotë se rritja është ndikuar nga shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe kërkesa e lartë për shtëpi.

 

Por shtrenjtimi i çmimeve po ul leverdinë nga qiraja, si për shtëpitë në qendër, ashtu edhe në periferi. Rritja e normave të interesit të kredive pritet të tkurrë kërkesën, gjë që mund të sjellë edhe rënie të çmimeve.

 

Në Tiranë vijon shtrenjtimi i çmimeve të apartamenteve. Brenda vijës së verdhë të ndërtimit, apartamentet e reja nga vëzhgimi i “Monitor” po shiten mbi 1,000 euro/m² nga 900 euro/m² që niste vitin e kaluar çmimi i shitjeve.

 

Në zona të veçanta, si ajo e ish-Bllokut dhe Komuna e Parisit, çmimet kanë tendencë të fortë rritje deri në dyfish më të larta se vjet. Shoqata e Ndërtuesve thotë se rritja e çmimeve është ndikuar nga shtrenjtimi i lartë i materialeve të ndërtimit.

 

Aktorë të tjerë të tregut pohuan se çmimet janë të fryra nga rritja e lartë e kërkesës. Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë duket se është në periudhën më të mirë, pasi krahas ofertës së lartë prej ndërtuesve brenda qendrës së Tiranës, qëndron edhe kërkesa e lartë për blerje.

 

Në anën tjetër, shtrenjtimi i çmimeve po ul leverdinë nga qiraja, si për shtëpitë në qendër, ashtu edhe në periferi. Parashikohet që rritja e normave të interesit të kredive të sjellë rënie të kërkesës. Si do të ndikojë te çmimi? A do të jetë kjo një mundësi për ulje?

 

Shoqata e Ndërtuesve: Rritja e çmimeve, nga shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit

Çmimet e materialeve të ndërtimit këtë vit kanë shënuar rritje të lartë.

 

Për Shoqatën e Ndërtuesve, shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, kostoja e lartë për pagesat e punëtorëve dhe të truallit të ndërtimit, si dhe taksat janë arsyet kryesore të rritjes së çmimeve të apartamenteve.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi, tha për “Monitor” se nga rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit, kostot e ndërtimit janë rritur 30 – 50% më shumë se vjet. “Për këtë ka pasur rritje të lartë të çmimeve të materialeve të ndërtimit.

 

Për materiale si alumini, bakri, hekuri dhe çimento, çmimet janë rritur 200% krahasuar me vjet. Rritje të lartë ka pasur edhe për çmimin e karburantit. Pavarësisht se për këtë muaj ka një rënie të çmimeve të materialeve të ndërtimit, sërish mbeten të larta.

 

Tashmë në kryeqytet nuk ka më ndërtime me kosto 300 – 400 euro/m². Kostoja për apartamente ka arritur deri 800 euro/m², për shkak të rritjes së cilësisë.

 

Për kullat, për shkak të përdorimit të materialeve dhe fasadave unike, kostot e ndërtimit arrijnë deri në 2,000 euro/m². Rritja e çmimeve të apartamenteve po pasqyron trendin e zhvillimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit”.

 

Administratori i kompanisë “Century 21”, Jonian Antoni, tha se shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit do të ndikojë më tepër në rritjen e çmimeve të pronave joelitare.

 

“Ndërtuesi është një kompani dhe sigurisht operon me marzhet e fitimit. Pra nëse rritet kosto, ndërtuesi do të aplikojë marzhet e tij, si pasojë rritet edhe çmimi final. Në të vërtetë kjo vërehet më shumë te ndërtimet e nivelit të ulët dhe të mesëm dhe jo shumë në pronat elitare.

 

P.sh., nëse në një zonë elitare, kostoja e ndërtimit ka qenë 600 euro/m² dhe sot ka rritur 800 euro/m². Kjo rritje nuk vihet re shumë në çmimin fundor, sepse ai është mbi 2,500 euro/m² dhe ndërtuesi ka marzhe të larta fitimi.

 

Por nëse kostoja e ndërtimit të një apartamenti në zona të lira ishte 330 euro dhe këtë vit është bërë 500 euro/m², kjo reflektohet direkt në çmimin e shitjes, i cili nga 800 euro ka arritur në 1,000 euro/m²”, thotë ai.

 

Përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve shton se edhe çmimi i truallit të tokës së pronarëve ka shënuar rritje, sidomos për ndërtimet në qendër, ndërsa taksat zënë 11% të çmimit të shitjes së apartamenteve. “Çmimi i truallit të ndërtimit ka shënuar rritje të lartë.

 

Nëse më parë, pronarët e truallit kërkonin 30% të sipërfaqeve takuese, tashmë për zonat e qendrës nga pronarët kërkohet mbi 50%. Gjithashtu në Shqipëri, trualli i ndërtimit është i parcelizuar, ku për një sipërfaqe p.sh. 100 m² katrorë janë disa familje pronare.

 

Ndërtuesit i duhet t’i kompensojë të gjithë, ndërsa në vend nuk ekziston legjislacioni për zhvillimin e projektit”, veçon z. Dervishi. Rritja e pagesave të punëtorëve është një tjetër arsye e rritjes së kostos së ndërtimit, sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Ndërtimit.

 

Kërkesa e lartë fryn çmimet e apartamenteve

Edhe pse këtë vit është shtrenjtuar çmimi i materialeve të ndërtimit, siç është hekuri, çimentoja, qeramika, plastika etj.,

 

si dhe kostoja e pronarëve të truallit në zonat e qendrës ka arritur 50% nga 30% që ishte më parë, për ndërtuesin Hajredin Frateri mbeten arsye të pamjaftueshme për këtë rritje të lartë të çmimeve.

 

“Në Tiranë janë hapur shumë kantiere të reja ndërtimi dhe shumë prej tyre po rezervohen për blerje që në fazën e parë të ndërtimit. Madje në disa kulla që po ngrihen në Tiranë, apartamentet e banimit janë shitur të gjitha që në gropë, siç është rasti i ndërtimit pranë Hotel Dajtit.

 

Mendoj se faktorët kryesorë që po ndikojnë te rritja e çmimeve është kërkesa e lartë, taksat dhe shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit. Këtë vit, vetëm çmimi i hekurit është trefishuar, ndërsa 100 euro për metër katror banimi të ndërtuar t’i merr Bashkia e Tiranës, si taksa”.

 

Pavarësisht këtyre faktorëve, ndërtuesi Hajredin Frateri pohon se çmimet janë të fryra, për shkak të kërkesës së lartë. “Mendoj se ka fryrje të lartë të çmimeve, për shkak kërkesës.

 

P.sh., nëse vjet sipas përllogaritjeve, kostoja e ndërtimit të apartamenteve në zonën e Kasharit arrinte 600 euro/m², këtë vit arrin 700 – 750 euro/m², duke përfshirë edhe 20% fitimin e ndërtuesit nga shitjet, si dhe rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit”.

 

Edhe administratori i real estate “Century 21”, Jonian Antoni, tha për “Monitor” se kërkesa e lartë për apartamente është faktori kryesor që ka ndikuar te tendenca rritëse e çmimeve.

 

“Në Tiranë, në 4 vitet e fundit, kemi parë rritje të vazhdueshme të çmimeve. Nëse për vitet 2018-2019-2020, rritja ka qenë e pranueshme 3-4% në vit, brenda normave dhe rritjes ekonomike, në 2021 kemi parë një rritje të theksuar, e cila ka qenë nga 5 deri në 12% në varësi të zonave.

 

Sipas gjykimit dhe interpretimit të kompanisë sonë “Globale Century21” rritja vjen nga shumë faktorë, por ai më kryesor është rritja e kërkesës në Shqipëri dhe në mbarë botën.

 

Kur rritet kërkesa, normalisht nëse tregu nuk ka produkt, çmimi rritet. Në Tiranë, kërkesa është rritur për disa arsye, si rritja e vazhdueshme e kërkesës, si rrjedhojë e rritjes së popullsisë së Tiranës.

 

Rritja për një produkt më cilësor dhe më të ri, e cila u ndikua shumë edhe nga fatkeqësia e tërmetit dhe pas nëntorit 2019 shumë klientë kanë kërkuar me ngut të shesin shtëpitë e vjetra për shtëpi më të reja në pallate më cilësore.

 

Një tjetër faktor që ka ndikuar te rritja e çmimeve është edhe pandemia. Kjo ka qenë një rritje globale. Sipas studimeve dhe artikujve të revistës globale “Newyork Times” dhe të ngjashme, thuhet se pandemia ka shkaktuar rritje të shitjeve të pronave.

 

Por jo vetëm kaq, studime të ndryshme kanë vërtetuar që pas pandemisë konsumatori ka kuptuar që ka nevojë për më shumë hapësira në shtëpi, si rrjedhojë të gjithë ata që kanë pasur mundësi, kanë tentuar ose arritur me sukses të blejnë hapësira më të mëdha.

 

Ky fenomen ka vënë në lëvizje gjithë sektorët e ndërtimit, sepse praktikisht, sipërfaqja e banueshme është rritur dhe si rrjedhojë, kërkesa ka rritur edhe çmimet. Një tjetër faktor i rëndësishëm që po ndikon te çmimet është ndryshimi i pagave.

 

Në Tiranë, në 4-5 vitet e fundit pagat në sektorin privat janë rritur ndjeshëm. Nëse në vitin 2017, paga mesatare ishte 40,000 lekë, sot paga mesatare e Tiranës përllogaritet mbi 55,000 lekë me mungesë stafi të kualifikuar, të cilat në këndvështrimin tonë do të vazhdojnë të rriten.

 

Rritja e pagave ka nxitur rritjen e financimeve me kredi për shtëpi dhe si rrjedhojë është rritur edhe kërkesa edhe çmimi”, thekson ai.

 

Kush po blen apartamente në Tiranë?

Gladiola Balliu, administratore e kompanisë së arredimit “Gbarchs Architects”, tha për “Monitor” se apartamentet e shtrenjta blihen më tepër nga shtetas shqiptarë që punojnë në emigracion.

 

Kompania aktualisht është duke arreduar disa apartamente në kryeqytet, duke përfshirë edhe ato të shitura në kulla. “Apartamentet e shtrenjta apo pronat luksoze blihen më tepër nga shqiptarë që punojnë në emigracion.

 

Po ashtu, pronat me çmimet e larta, kryesisht ato të qendrës blihen edhe nga vendasit, por kur bashkëshortët janë të dy profesionistë, si mjekë, stomatologë apo inxhinierë dhe kanë të ardhura të kënaqshme.

 

Të dyja këto kategori blerësish nuk e financojnë investimin nëpërmjet kredisë, siç ndodh me çiftet e reja, që zgjedhin prona më ekonomike”, pohon ajo.

 

Sipas CEO të agjencisë “Century 21”, Jonian Antoni, blerësit kryesorë në Tiranë janë familjet me kryefamiljaret nga 30 deri në 45 vjeç. “Ky grup përbën edhe ata që janë më lehtësisht të financueshëm nga banka.

 

Në studimin tonë, kjo kategori është 60-65% e shitjeve. Më pas janë edhe shumë kategori të tjera, si blerësit për investim, emigrantët dhe ndoshta edhe moshat e mëdha, të cilat shesin një shtëpi të madhe për të blerë një shtëpi më të vogël, pasi kanë ikur fëmijët nga shtëpia”.

 

Ndonëse aktorët e tregut nuk e pranojnë zyrtarisht, ata pohojnë se një pjesë e madhe e tregut mbahet në këmbë nga paratë informale, që e fryjnë ndjeshëm kërkesën për apartamente, sidomos në zonat e shtrenjta.

 

Burimi: https://www.monitor.al/cmimet-e-apartamenteve-shtrenjtohen-deri-ne-40-brenda-nje-viti/


Më të lexuarat